Maqedoni

UShKM, dy kandidatë në garën për rektor, Plenumi Studentor kërkon anulim të zgjedhjeve

15.06.2016 15:46

Profesorët universitarë, Nenad Novkovski dhe Nikolla Jankullovski, janë kandidatët që garojnë për pozitën e rektorit të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”...

Gjashtë kandidatë kishte sot në garë, teksa udhëheqësia e fakultetit dha 28 vota për profesorin universitar, Jankullovski, ndërsa 17 vota mori Novkovski, me çka fituan të drejtën për të garuar. 
 
“Profesorët do t’a sjellin vendimin e duhur, paraprakisht po u falënderohem për të gjithë bashkëpunimin që kemi pasur dhe shpresoj për një bashkëpunim të gjatë me të gjithë anëtarët të cilët marrin pjesë në këto zgjedhje.”- deklaroi kandidati për rektor të ri në UShKM, Nikolla Jankullovski.
 
“Unë them që sipas të gjitha kritereve unë jam kandidati më serioz për rektor. Shpresoj se atëherë gjendja e votave do të jetë më ndryshe, në senat do të duhet të fitoj më shumë vota për shkak se jam më i përkushtuar  në nxjerrjen   e fakultetit nga kjo gjendje në të cilën është.”- tha kandidati për rektor të ri në UShKM, Nenad Novkovski.
 
Por, zgjedhja e rektorit ka nxitur pakënaqësi dhe revolt tek Plenumi Studentor. Ata kërkojnë që menjëherë të ndërpriten zgjedhjet për rektor të ri, pasi që në këto zgjedhje nuk po votojnë përfaqësues legjitim të Parlamentit Studentor. 
 
“Kërkesat tona janë: të anulohen zgjedhjet për rektor të ri, për shkak se nuk ka përfaqësim legjitim dhe legal të Parlamentit Studentor, i cili duhet të jetë i garantuar gjatë zgjedhjes së rektorit, gjithashtu kërkojmë që Universiteti të aktivizohet në zgjedhjen e përfaqësuesve legjitim të Parlamentit të Studentëve. Po ashtu kemi indikacione për keqpërdorim të postit nga ana e kryetarit të Parlamentit Studentor, Kirill Spirkovski, pasi që ka ndërruar rregulloren e zgjedhjes së udhëheqësisë së Parlamentit Studentor.”- tha Orhan Sulejmani nga Plenumi i Studentëve.              
 
Studentëve sot nuk iu lejua hyrja në seancë edhe pse statusi parashikon që seancat të jenë të hapura.
 
Nga Plenumi i Studentëve thonë se në zgjedhje po merr pjesë vetëm kryetari i Parlamentit Studentor të UShKM-së, Kirill Spirkovski, mandati i të cilit, sipas tyre, ka kaluar para dy vitesh. 
 
Zgjedhja e rektorit në UShKM do të bëhet më 30 korrik.
 
ERSAN PAJAZITI