Botë

Shqipëri, lufta për reformën bëhet akoma më e fortë

15.06.2016 15:54

Vijon lufta mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për reformën në drejtësi...

Kryeministri, Edi Rama, e akuzoi sërish Partinë Demokratike se kërkon të fusë duart në sistemin gjyqësor nëpërmjet nenit 88, i cili parashikon mënyrën se si emërohen gjyqtarët që do të zgjidhen në katër institucionet e reja gjyqësore.
 
“Nuk është diskutim i brendshëm më mes PS e PD, por është debat mes një qëndrimi strategjik dhe një qëndrimi puro partiak. Qëndrimi strategjik është i yni. Duam ta shembim këtë sistem drejtësie. Ky draft e shemb, por pa vetingun e pavarur ndërton një shtëpi të re ku futen xhagajdurët e vjetër. Këtë nuk e pranojmë dot.”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Përgjigjja e liderit të opozitës ka qenë e menjëhershme. Basha tha se kapja e institucioneve të drejtësisë është specialitet i Ramës, duke shtuar se kjo është qeveria më e inkriminuar që ka parë ndonjëherë Shqipëria.
 
“Ky që pikon krim dhe korrupsion kërkon të bëjë reformë në drejtësi me plan për kapje të saj. Nëse drejtësia do të ishte e pahapur, asnjë orë gjumë nuk do të bënte Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Damjani, ministra e zyrtarë të tjerë. Do ta humbisnin gjumin një herë e mirë.”- tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
 
Drafti i miratuar dje nen për nen pa vullnetin e opozitës, do të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare, e më pas në Kuvendin e Shqipërisë.
 
Neni 88 që ndan palët, do të negociohet në një periudhë të mëvonshme.
 
LULJETA NDOKA