Gati për kombëtaren, Marseja ngjyroset kuq e zi, sfida në 21:00 në TVM2
Në orën 21:00, TVM2 ju sjell sfidën e madhe të kombëtares Kuq e Zi. Është një ndeshje që pritet me padurim nga të gjithë ne...

E në prag të saj, UEFA ka bërë një postim në faqen e saj zyrtare, duke e ngritur pyetjen: A do të na dhurojnë edhe sot një tjetër spektakël tifozët e kombëtares shqiptare?”.
Dhe tifozët Kuqezi veç më e kanë filluar spektaklin. Një flamur kombëtar, me përmasa 150 metra me 70, ka pushtuar plazhin e Marsejës në Francë.
Dhjetëra tifozë shqiptarë kanë ndihmuar në shpalosjen e këtij flamuri, përmasat e të cilit janë të denja për një rekord Guinness. Flamuri është ndërtuar përmes 100 shiritave nga 1 metër e gjysmë secili.
Ai ishte ide e artistit dibran, Rinor Sllova. “Kemi menduar të bëjmë një shpalosje artistike për t’i treguar Francës që dimë të bëjmë dhe art.”- është shprehur ai.
Dhe vërtetë tifozët e bënë artin e tyre, tani mbetet të tregojnë se mbështesin me zemër kombëtaren tonë dhe padyshim na mbetet të shpresojmë për një rezultat që do të na ngrohë zemrat sonte.
