Maqedoni
Vazhdojnë bisedimet për dalje nga kriza, ende pa një datë për takimin e liderëve
15.06.2016 17:39
Edhe pse përfaqësuesit e katër partive politike, pjesëmarrëse në grupet e punës, nuk tregojnë qartë se çka konkretisht bisedohet dhe përmes cilave mundësi do të tejkalohet kriza politike...

Edhe pse përfaqësuesit e katër partive politike, pjesëmarrëse në grupet e punës, nuk tregojnë qartë se çka konkretisht bisedohet dhe përmes cilave mundësi do të tejkalohet kriza politike, pastrimi i Listës Zgjedhore dhe reformat në media janë pikat kontestuese për të cilat partitë assesi të arrijnë kompromis.
Përfaqësuesja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, thotë se ende është herët për të konstatuar se kur mund të takohen liderët politik për të dhënë aminin e fundit në drejtim të arritjes së zgjidhjes për tejkalimin e krizës.
Ajo sërish përsëriti se kërkesat e LSDM-së janë të njëjta, Listë Zgjedhore të pastruar dhe reforma në media, që të mund të realizohen zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Kushtet për të cilat flasim dhe për të cilat arritëm marrëveshje para një viti patjetër të plotësohen, Lista Zgjedhore e pastruar dhe reformat në media do të sigurojnë mundësi për zgjedhje të lira dhe demokratike. Këto janë qëllimet tona, të mos kemi sërish prolongime, por me të vërtetë të kemi kushte të plotësuara, që nënkuptojnë se qytetarët vendosin e jo pushteti.”– deklaroi Radmilla Shekerinska nga LSDM.
Përfaqësuesi i VMRO-së as sot nuk ishte i gatshëm të flasë për mediat. Të shkurtër shumë ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, Bejli dhe Orav.
Ata vetëm rikonfirmuan se takimi i ardhshëm do të mbahet nesër dhe presin që partitë të dakordohen.
SANIJE DURAKU
