Maqedoni

Emërimet e ministrave në Kuvend, Stavreski la nën hije pasardhësin e tij Minoskin

15.06.2016 18:26

Debati i ashpër për angazhimin ministror të Zoran Stavreskit la nën hije emërimin e Kirill MinoskiT si pasardhës i tij...

Debati u fokusua në të arriturat dhe dështimet e Stavreskit. Edhe vetë propozuesi, kryeministri, Emil Dimitriev, pasi lavdëroi punën e ministrit në largim, Stevareskit, për zhvillimin e ekonomisë, shkurt tha se nga ministri i ri pret që me sukses të vazhdojë punën.
 
“Konsideroj se ai posedon kapacitet përkatës për këtë funksion, pasi që gjatë punës së tij 17 vjeçare ka realizuar projekte financave, ka bërë përmirësimin e konkurrencës dhe sistemit bankar. Gjithashtu ka qenë i angazhuar në Bankën Botërore. Minovski ka drejtuar institucione të rëndësishme, si Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike, dhe me projekte ka ndikuar pozitivisht në funksionimin efikas të këtyre institucioneve.”- deklaroi kryeministri, Emil Dimitriev.
 
Përzgjedhjes së re i parapriu debat i ashpër midis deputeteve të LSDM–së dhe të VMRO-DPMNE-së. Deputeti, Marjanço Nikollov, tha se handikap i ministrit të ri është mungesa e peshës politike që kishte Stavreski. Nikollov iu drejtuar me dy kërkesa kryeministrit teknik dhe ministrit të ri.
 
“E para që presim nga ministri i ri i financave është të shpenzojë më pak për çokollatë dhe më shumë për bukë, pasi qytetarët janë të uritur, të varfër dhe kërkojnë jetë më të mirë. Në dhjetë vitet e kaluara shpenzuat shumë para në çokollata, kënaqësi personale, ndërkaq pak para u dhatë qytetarëve. Atyre u morët 25 miliard euro, ndërkaq u kthyet rreth 20%. Kërkesa e dytë është të rrisni nivelin e transparencës në shpenzimin e parave të qytetarëve.”- tha Marjanço Nikollov nga LSDM.
 
Deputetët e VMRO–DPMNE–së i dolën në mbrojtje politikave financiare të ish-ministrit Stavreski. Ilija Dimovski numëroi disa projekte në të cilat janë shpenzuar paratë e buxhetit.
 
“Qeveria e Maqedonisë me ministër Stavreskin ka paguar borxhet e Nikolla Popovskit në vitin 2005, kredinë për ndërtimin e Kozjakut, ka rritur subvencionet në bujqësi, pensionet për 70%, rrogat në polici, ushtri, arsim dhe shëndetësi.”- u shpreh Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, deputeti i PDSh-së, Orhan Ibrahimi, akuzoi qeverinë se paratë e buxhetit janë harxhuar për projekte monoetnike në kurriz të shqiptarëve. Akuzat e tilla u përgënjeshtruan nga deputeti Rafiz Haliti.
 
“Të gjitha buxhetet shtetërore janë harxhuar në projekte monoetnike. Vetëm ta përmendim Shtipin si qytet i cili numëron aty 50 mijë banorë, për këto vite që po lëmë mbrapa ka harxhuar mbi gjysmë miliardi euro, ndërsa vendbanimet shqiptare prej nga unë vij e deri në Strugë nuk shohim ndonjë projekt kapital.”- tha Orhan Ibrahimi nga PDSh.
 
“Janë bërë projekte edhe në viset shqiptare, kështu që ato kritika mendoj se nuk mbajnë. Rrugët, spitalet u takojnë gjithë qytetarëve, i shfrytëzojnë të gjithë, kështu që investimet kapitale janë bërë pikërisht në këtë drejtim.”- theksoi Rafiz Haliti nga BDI.
 
Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Financave, Zoran Stavreski, për arsye shëndetësore u largua nga Qeveria e VMRO-DPMNE-së pas veprimit dhjetëvjeçar përkrah Nikolla Gruevskit.
 
MERAL ISMAILI