Botë

“Euro 2016” - trazira në Lilë, arrestohen dhjetëra tifozë, 16 në spital

16.06.2016 14:48

Të paktën 36 persona u arrestuan në qytetin francez të Lilës në një tjetër ditë përleshjesh mes policisë dhe tifozëve...

Policia franceze tha se 16 persona janë shtruar në spital me plagë të ndryshme. Qindra tifozë ndezën fishekzjarrë në rrugët e Lilës.

Mediat britanike bëjnë me dije se policia përdori gazin lotsjellës kundër tifozëve, të cilët ishin kryesisht anglezë. Më herët, tifozë të Anglisë dhe Rusisë u ndaluan nga policia pas përleshjeve mes tyre.

Por, errësira e natës solli një përshkallëzim të përballjeve me policinë, duke dëmtuar rëndë imazhin e kampionatit.

Edhe pse është ngritur shqetësimi për një përballje mes anglezëve dhe huliganëve rusë, përleshjet me policinë ishin kryesisht një problem anglez dhe ndodhën në prag të ndeshjes së sotme.

Tashmë pritet reagimi i UEFA-s, e cila kishte kërcënuar me përjashtimin e Anglisë nga kampionati nëse tifozët e saj shkaktonin sërish probleme. Gjithsesi, UEFA merr masa vetëm kur trazirat ndodhin në stadiume, pasi deri atje shtrihet juridiksioni i saj.

GAZMEND KURTISHI