Botë

Avioni i “EgyptAir”, gjenden disa pjesë, ende mister shkaku i rrëzimit

16.06.2016 14:52

Mbetjet e avionit të Kompanisë “EgyptAir”, që humbi në Mesdhe muajin e kaluar, janë gjetur dhe gjithashtu janë identifikuar disa prej zonave kryesore...

Mbetjet e avionit të Kompanisë “EgyptAir”, që humbi në Mesdhe muajin e kaluar, janë gjetur dhe gjithashtu janë identifikuar disa prej zonave kryesore në oqean ku mendohet se mund të gjendet një pjesë e mirë e mbetjeve të tjera të avionit.

Sipas deklaratës zyrtare të autoriteteve egjiptiane, anija e kërkimit John Lethbridge, e kontraktuar prej tyre, është duke punuar fort për të gjetur kutitë e zeza, shpresa e vetme e cila mund të shpjegojë aksidentin e 19 majit, ku 66 persona humbën jetën.

Sipas hetuesve, janë siguruar imazhet e para të rrënojave teksa një ekip kërkimor në bordin e saj, në bashkëpunim me hetuesit, do të nxjerrë një hartë të shpërndarjes së rrënojave.

Në fakt nuk ishte menjëherë e qartë se cilat pjesë të avionit janë gjetur dhe as vendndodhja e kutive të zeza. Megjithatë, kutitë e regjistrimit ndodhen në pjesën fundore të avionit.

Sipas ekspertëve, sinjalet e emetuara nga regjistruesit pritet të përfundojnë deri më 24 qershor. Shkaku i rrëzimit mbetet një mister.

Sulmi terrorist është përjashtuar si pistë, teksa analistët besojnë tek një gabim njerëzor.

Sipas hetuesve grekë, avioni ka marrë një kthesë 90 gradë majtas dhe pastaj 360 gradë në të djathtë, para se të humbte nga radarët.

GAZMEND KURTISHI