Maqedoni
Halimi mbajti tubim në Sllatinë
26.03.2014 17:55
Me moton “Për president shqiptar“, PDSH para anëtarëve dhe simpatizantëve në fshatin Sllatinë të Tetovës...

Me moton “Për president shqiptar“, PDSH para anëtarëve dhe simpatizantëve në fshatin Sllatinë të Tetovës, promovoi kandidatin e saj për president të shtetit.
Para të pranishmeve, kandidati për president Iljaz Halimi, kërkoi që me 27 prill të dëshmohet, të faktorizohet dhe të jetë vendimmarrëse vota shqiptare në përcaktimin e presidentit të vendit, “Kuptohet që me votën tuaj, me masovizimin e votës suaj, ju garantoj se shumë lehtë mund të hyjë në rrethin e dytë për kryetar shteti, natyrisht që nëse arrij që të bëhem kryetar shteti, do të punoj më ndryshe nga se kanë punuar kryetarët e deritanishëm të shtetit që kanë qenë të nacionalitetit tjetër”, tha kandidati për president shteti, Iljaz Halimi.
Ai njeherit theksoi se do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët, por në radhë të parë do të jetë kryetar i shqiptarëve, por edhe i gjithë të tjerëve, duke shtuar se me tërë qenien e tij do të kontribuon për mirëqenien, mirëqenien e komuniteteve që jetojnë, duke siguruar barabarësi të plotë në aspekt juridik, politik, social dhe të gjitha aspektet tjera. Ai njëherit potencoi se gjatë karrierës së tij politike, në të gjitha postet e deritanishme të ushtruara, është përkushtuar të kontribuon në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve.
“Unë kam një karrierë politike, poashtu një karrierë profesionale, si profesor këtu kam shumë nxënës të mi, meqë 18 gjenerata i kam përcjellë, meqë jam fytyrë politike më njohin, më njohin karakterin tim, më njohin qenien time, më njohin si personalitet dhe në jetën time, ka 1 muaj që i kam bë 60 vjet, nuk di se dikujt t’i kem bërë keq. Jam munduar në çdo moment ta shfrytëzoj si profesor, si nënkryetarë parlamenti, si zëv.ministër i Mbrojtjes, që t’i ndihmoj popullit tim, t’i ndihmoj të gjithë qytetarëve që kanë pasur nevojë, që atë ndihmë unë t’ua ofroj. Vetëm si zëv.ministër i Mbrojtje, për 16 muaj kur isha në qeveri, 720 shqiptarë kam punësuar, nënoficer, oficer, ushtarë profesional, poashtu edhe civil me shkolla të mesme dhe fakultet, që këtë nuk janë në gjendje ta bëjnë që 8 vjet edhe pse BDI-ja ka ministra, ka kuadro të vet, si ministra të kësaj ministrie. Kështu pra, janë angazhuar edhe kuadrot tjerë të PDSH-së në të gjitha institucionet dhe kjo është pra një vepër të cilën e dinë qytetarët, andaj edhe ky interesim i madh ekziston, ky entuziazëm i madh ekziston, që të rikthehet Partia Demokratike Shqiptare përsëri në pushtet, prandaj në emër të kësaj ju kisha lutur që me 13 prill të dilni të votoni në mënyrë masovike për mua, poashtu edhe me 27 prill për PDSH-në, me siguri se gjendja shqiptare do të ndryshon si nata me ditën, urime dhe suksese”, deklaroi kandidati për president, Iljaz Halimi.
Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, në fjalimin e tij para simpatizantëve të PDSH-së, tha se shqiptarët gjatë këtyre 17 viteve që PDSH është në opozitë, janë në gjendje të vështirë dhe se asnjë çështje kombëtare nuk është e zgjidhur. Ai njeherit shtoi se BDI me bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale, tenton që me votën shqiptare të bën pazarllëqe të fëlliqura nëntokësore në raundin e parë dhe raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Kush e rrezoi cenzusin prej në 50 në 40%, vet BDI-ja me VMRO-në, kush i dhunoi me dhunë shqiptarët që të votojnë për Ivanovin, normalisht në zonat që kanë telashe më të mëdha shqiptarët, a e dini vëllezër se Ivanovi prej në Saraj deri në Reçan ka marrë në këtë zonë 1.2 % të votave, ku e kemi bojkotuar ne, tjerat i kanë mbush me zor, me dhunë në Zajaz”, theksoi lideri i PDSH-së Menduh Thaçi.
Në këtë tubim, mori fjalën edhe kandidati për deputet nga kjo zonë, Imer Aliu, i cili para të pranishmëve tha se pret angazhim maksimal nga të gjithë ata që e përkrahin kauzën e PDSH-së për president shqiptar, që kandidati Iljaz Halimi nga Partia Demokratike Shqiptare, të marrë numrin maksimal të votave me 13 dhe 27 prill. Ai njëherit shtoi se Bashkimi Demokratike për Integrim, në pamundësi për t’u dhënë llogari shqiptarëve për qeverisjen e tyre të deritanishme, shpiki temën e presidentit konsenzual, duke tentuar që të gjithë shqiptarët t’i fusë në këtë temë të pakuptimtë të presidentit konsenzual.
Para të pranishmëve mori fjalën edhe kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Shqiptare, njëherit edhe kandidat për deputet,Lirim Murtezani, i cili apeloi që të mbështetet kandidati për president të shqiptarëve, Ilaz Halimi dhe lista e kandidatëve për deputet nga Partia Demokratike Shqiptare. Duke shtuar që rinia e Partisë Demokratike Shqiptare do të angazhohet maksimalisht, me qëllim të realizimit të idesë dhe platformës kombëtare të PDSH-së.
Në ndërkohë, PDSH në pres-konferencën e sotme, vazhdoi sërish me akuzat për korrupsion drejtuar Bashkimit Demokratik për Integrim. Kësaj radhe ne listën korruptive është përmendur Ismail Ahmeti, prorektorë i USHT-së, njëkohësisht xhaxha i Ali Ahmetit, i cili nga kjo parti akuzohet për keqpërdorim të buxhetit shtetëror të Universitetit Shtetërorë të Tetovës.
Në vazhdën e aktiviteteve parazgjedhore, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka realizuar sot takim me ambasadorin e Kroacisë në vend, Zlatko Kramariq. Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale politike, për zgjedhjet e shpallura, si dhe për zhvillimet rajonale.
“Gjithashtu temë e diskutimit ishte debllokimi i proceseve integruese të vendit, si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Bashkëbiseduesit u ndanë të kënaqur nga takimi, me shpresë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi edhe në ditët në vijim, pritet të vazhdojë takimet me përfaqësuesit diplomatik të akredituar në vend. (Zejxhane Osmani, TVM2)
