Maqedoni

Rikthehen ditët e nxehta, kujdes me ushqimin dhe daljet në diell

16.06.2016 15:54

Duket se ditëve të freskëta të qershorit u erdhi fundi. Maqedonia është përfshirë nga i nxehti tropikal këtë javë dhe temperaturat priten të arrijnë edhe deri në 40 gradë celsius...

Mjekët shtojnë apelet për të gjithë qytetarët, sidomos për të sëmurët kronikë, që mos të dalin jashtë shtëpive të tyre nga ora 10:00 deri në orën 17:00. “Mbrohuni nga rrezet e drejtpërdrejta të diellit, pini sa më shumë lëngje dhe shmanguni ushqimeve që prishen lehtë”.
 
“Temperaturat e larta ndikojnë në shëndetin e njeriut, sidomos tek personat me sëmundje kronike, andaj preferohet që qytetarët të vishen me rroba me ngjyra të hapura, të vendosin syza dhe ombrellë, të mbajnë me vete çdoherë ujë, të mos përdorin pije me kofeinë dhe pije energjike, sepse dëmtojnë organizmin. Të konsumojnë ushqim të lehtë, duke shmangur ushqimin me yndyrë. Ndërsa pjesëmarrësit në komunikacion duhet të ajrosin veturën e cila ka qëndruar një kohë të gjatë në diell.”- deklaroi një mjek.
 
Këto këshilla duhen marrë parasysh patjetër, sidomos nga ata qytetarë që agjërojnë në këto ditë të nxehta.
 
Ata duhet të kenë parasysh se kujdesi ndaj ushqimit duhet bërë edhe gjatë periudhës në mes të iftarit dhe syfyrit, duke ju shmangur sidomos ushqimeve me shumë yndyrë dhe ushqimeve të tjera të cilat më pas detyrojnë organizmin të ketë më shumë nevojë për ujë.
 
Kosi dhe frutat nuk duhet të mungojnë në tryezat tuaja në këtë periudhë, pasi janë ushqime natyrore që freskojnë organizmin për një kohë më të gjatë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI