Maqedoni
“Revolucioni laraman” bllokoi tre ura në Shkup
16.06.2016 15:56
“Revolucioni laraman” dhe Lëvizja “Protestoj” bllokuan për një orë tre urat: “Goce Delçev”, “Liria” dhe “Nënë Tereza” në Shkup...

Kjo bllokadë, sipas protestuesve, është vetëm një përkujtim qeveritarëve se kanë mbetur edhe shumë pak kohë deri në skadimin e ultimatumit të dhënë për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese urgjentisht të prononcohet për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale dhe të krijohen të gjitha kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
“Protestoj që të bie kjo qeveri njëherë e përgjithmonë. Do të jem këtu derisa nuk fillon të zbatohet sundimi i së drejtës. Bllokimi i udhëkryqeve dhe urave në Shkup është për të parë të gjithë qytetarët se duhet të gjetur një zgjidhje ligjore për situatën e krijuar”,- tha një protestues.
“Do të luftojmë derisa nuk fitojmë liri, demokraci dhe derisa nuk përmbushen kërkesat për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Do të protestojmë derisa Prokuroria Speciale nuk e përmbush detyrimin ligjor që ka, t’i procedojë dhe t’i mbarojë të gjitha procedurat e ngritura për kriminalitet, mashtrim dhe derisa kryerësit e veprave nuk përfundojnë para drejtësisë. Shpresoj se organet e drejtësisë do të dalin në anën e sundimit të drejtësisë”,- u shpreh një protestues.
Protestuesit thanë se janë të mundshme edhe aksione të tjera më radikale në rast se nuk përmbushen kërkesat e tyre para afatit të dhënë më 18 qershor.
Gjashtë pikat e ultimatumit të dhënë kanë të bëjnë me ndërprerjen e të gjitha procedurave kundër demonstruesve, dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimtare, formimin e një gjykate speciale që do të merret me rastet e ngritura nga PSP, përfshirjen e qytetarëve në zgjidhjen e krizës dhe dorëheqjen e presidentit Ivanov.
REXHEP QAMILI
