Maqedoni
Donacion nga OH “Kalliri i Mirësisë” për Spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza”
16.06.2016 16:00
Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë” i ka dhuruar Spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza” në Çair të Shkupit një lavatriçe prej 27 kg, të siguruar nga dy organizata humanitare nga Turqia dhe Kuvajti...

“Bëhet fjalë për sigurinë e një makine apo lavatriçe me kapacitete të larta, e cila parashihet të jetë në shërbim të spitalit, pastaj edhe në shërbim të të gjithë përfituesve dhe klientëve të këtij spitali. Duhet t’ia bëjmë të ditur të gjithë opinionit të gjerë se makina kap një vlerë prej 800 mijë denarëve, është donacion i siguruar nga dy organizata që kemi partneritet dhe një bashkëpunim shumë të gjatë, bëhet fjalë për Organizatën nga Turqia ‘Iha ha’ dhe Organizatën nga Kuvajti ‘Mersi Internacional’”,- deklaroi kryetari i OH “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi.
Donacioni është mirëpritur nga drejtuesit e Spitalit “Nënë Tereza”.
“Ishte një makinë e cila na ishte shume e nevojshme, është 27 kilëshe, është profesionale, deri tani kishim shumë mangësi në këtë drejtim. Me angazhimin e madh të kryetarit dhe Organizatës ‘Kalliri i Mirësisë’ u sigurua një donacion i tillë i cili do të na ndihmojë shumë për lehtësimin e punës së mëtutjeshme”,- tha drejtori i Spitalit gjinekologjik “Nënë Tereza”, Bashkim Ismaili.
Nga Organizata humanitare “Kalliri i Mirësisë” njëherit theksojnë se mbeten të angazhuar që të ndihmojnë institucionet e ndryshme arsimore dhe shëndetësore në vend.
REJHANE BUSHI-METAJ
