Maqedoni

Analiza e KH-së dhe IPE-së: Nga viti në vit bie besueshmëria e GJK-së

16.06.2016 17:01

Maqedonia po çalon në zbatimin e reformave që ngërthen kapitulli 23 e që kanë të bëjnë kryesisht me reformat në gjyqësor dhe të drejtat themelore...

Pikërisht këto fusha ishin në fokusin e analizës së Institutit për Politikë Evropiane dhe Komitetit të Helsinkit në projektin “23 plus”.
 
Analiza ka nxjerrë në pah rënie permanente të besueshmërisë nga qytetarët në Gjykatën Kushtetuese.
 
“Në dokumentin do të gjeni konstatim se në të gjitha institucionet, të cilat janë përgjegjëse të vendosin për të drejtat e qytetarëve, përfshi edhe gjyqësorin, është konstatuar kontrolli nga pushteti ekzekutiv dhe si konstatim përfundimtar, kur bëhet fjalë për sistemin e përgjithshëm udhëheqës në Maqedoni, del konstatimi se nuk ekziston ndarje e shtetit nga partia”,- deklaroi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
 
“Në qoftë se e krahasoni punën e Gjyqit Kushtetues nga viti 2010 deri në vitin e kaluar do të vëreni se besueshmëria e qytetarëve në këtë institucion bie shumë. Edhe pse rekomandimet e PRIBE-së ishin të qarta se patjetër duhet të ketë ndryshime në mënyrën e punës të Këshillit Gjyqësor, ndryshime të tilla nuk ndodhën. Gjykata Speciale që nga themelimi i saj po përballet me një mosbashkëpunim nga të gjitha institucionet nga të cilat varen hetimet e saj”,- tha Voisllav Stojanovski.
 
Autorët e analizës po ashtu konstatojnë nevojën për ndryshim në Ligjin për Avokatin e Popullit dhe Ligjin për shërbime audio dhe audio-vizuele.
 
“Duhet me urgjencë që të ndryshojë Ligji për Avokatin e Popullit dhe duhet që të respektohen të gjitha vërejtjet e shënuara në raportin e PRIBE-së”,- theksoi Neda Çallovska nga Komiteti i Helsinkit.
 
“Rekomandim i yni është që të implementohen rekomandimet të cilat janë konstatuar si reforma prioritare, qasja e shpejtë në ndryshimin e Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuele”,- u shpreh Aleksandar Jovanovski nga Instituti për Politikë Evropiane.
 
Raporti përfshin periudhën prej korrikut të vitit 2015 deri në prill të vitit 2016, ndërsa është realizuar me mjete nga IPA-2, që ka për qëllim përkrahjen e shoqërisë civile dhe mediave.
 
NAIM RAMADANI