Maqedoni

LSDM paralajmëron padi ndaj gjykatëses: Vendimi i Pop Stefanias, kriminogjen dhe joligjor

16.06.2016 17:04

LSDM paralajmëron padi penale kundër, siç e ka cilësuar, vendimit kriminogjen dhe të jashtëligjshëm të gjykatëses, Aleksandra Pop Stefanija...

LSDM paralajmëron padi penale kundër, siç e ka cilësuar, vendimit kriminogjen dhe të jashtëligjshëm të gjykatëses, Aleksandra Pop Stefanija, si dhe do të kërkojë rishqyrtim të punës së saj dhe të kryetarit të Gjykatës Penale, Vladimir Pancevski.
 
“Vendimi kriminogjen, që të shpallet PSP si jokompetente për rastin e shkatërrimit të pajisjeve për përgjim, në të cilin janë të përfshirë Gordana Jankullovska, Goran Grujevski dhe të tjerët, është vendim i kundërligjshëm. Gjatë procedurës penale, pala akuzuese duhet të jetë person fizik ose prokurori. PSP është prokurori. Kjo do të thotë se procedura është ngritur nga organi kompetent, Prokuroria Speciale Publike. Në rastin konkret bëhet fjalë për lëndë për të cilën ka vendim gjyqësor”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
 
Nga LSDM përkujtojnë se Këshilli Gjyqësor Republikan e ka deleguar Pop Stefanian nga Gjykata e Negotinës në atë të Shkupit për të gjykuar lëndë në sektorin për kundërvajtje.
 
Kjo do të thotë që ajo nuk ka të drejtë ligjore të merret me lëndët për kriminalitet të organizuar.
 
“Caktimi i Pop Stefanias si gjykatëse të lëndëve që kanë të bëjnë me kriminalitet të organizuar është kundër Ligjit për gjykatës, kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor Republikan dhe rregullores për punën e gjykatave”,- thotë Shilegov.
 
GYLTEN SINANI