Maqedoni

Prokuroria Speciale: Shkatërruan pajisjet që të fshehin kush përgjoi

16.06.2016 17:09

Prokuroria Speciale i sqaron sot Prokurorisë Publike se aparaturat e përgjimit u shkatërruan me qëllim që të pengohet zbulimi i personave që kryen përgjimet e jashtëligjshme duke keqpërdorur sistemin...

Ky sqarim vjen një ditë pasi gjykatësja, Aleksandra Pop Stefanija, refuzoi kërkesën e ekipit të Janevës për rivendosjen e  masës së paraburgimit për shefin e Drejtorisë së pestë të DSK-së, Goran Grujovskin, dhe masë kujdesi për katër të dyshuarit e tjerë, në mesin e të cilëve edhe për ish-ministren e Brendshme, Jankullovska.
 
Gjykata Penale problematizon përgjegjësinë e PSP-së në këtë rast, duke arsyetuar se e njëjta nuk del si rezultat i bisedave të përgjuara. 
 
Të dyshuarit në rastin “Kështjella” ngarkohen për shkatërrimin e aparaturës së përgjimit prej të cilës kanë dalë përmbajtjet e materialeve të përgjuara dhe kjo shumë qartë tregon se cila prokurori duhet të jetë përgjegjëse për lëndën, përkujtojnë nga PSP.
 
“Rastet janë të lidhura në një aspekt më të gjerë që përfshin të gjitha veprat kriminale të kryera në drejtim të keqpërdorimit të sistemit për ndjekje të komunikimeve, shkatërrimin e tyre me qëllim të ndalimit të zbulimit të personave të përfshirë në keqpërdorimin e sistemit, e padyshim këtu pashmangshmërisht lidhet edhe rasti i njohur si ‘Puç’. Për këto veprime, gjykata nuk mund të deklarohet se nuk ka lidhshmëri. Përkundrazi, të gjitha janë veprime me të cilat është mundësuar ndjekja joligjore e komunikimeve dhe pengimi i argumentimit të keqpërdorimit të aparaturave”,- thuhet në kumtesën e PSP-së. 
 
Edhe në rastin “Puç”, për Zvonko Kostovskin, vetë gjykata vërtetoi se përgjimet e jashtëligjshme janë bërë pikërisht përmes aparaturës që ka qenë në pronësi të MPB-së.
 
PSP propozon që Këshilli Penal pranë Gjykatës Themelore Shkupi 1 të marrë parasysh ankesën e Prokurorisë Speciale Publike e ta kthejë sërish në shqyrtim kërkesën për urdhër-arresti për Grujovskin, dhe masën e  kujdesit për katër të dyshuarit e tjerë.
 
Grujevski u paraburgos në maj për rastin e njëjtë dhe gjykata ia ndryshoi vendimin në burg shtëpiak, por më pas përfitoi nga falja presidenciale. Tashmë me tërheqjen e abonimit, PSP aktivizoi sërish kërkesën paraprake për paraburgim.
 
GAZMEND KURTISHI