Maqedoni

Kuvend, vazhdon debati për impiçment

16.06.2016 17:11

Opozita vazhdon të kërkojë dorëheqjen e presidentit Ivanov, pasi vlerëson se qëllimi i vetëm i vendimit për abolim ka qenë që të bëhen obstruksione...

Opozita vazhdon të kërkojë dorëheqjen e presidentit Ivanov, pasi vlerëson se qëllimi i vetëm i vendimit për abolim ka qenë që të bëhen obstruksione, prolongime dhe të frenohen proceset në Republikën e Maqedonisë.
 
“Rolin e frenuesit të proceseve përmes shkeljes së kushtetutës dhe normave etike, grupimi kriminal ia ndau profesorit që ligjëron etikën politike”,- akuzoi deputeti opozitar, Hari Llokvenec.
 
“Merrni guximin dhe rezistoni para shantazheve aq të dukshme! Më mirë një fund i tmerrshëm, sesa një tmerr pa fund. Jepni dorëheqjen! Këtë ia keni borxh qytetarëve”-, Hari Llokvenec nga LSDM.
 
Mirëpo, deputetët e VMRO-DPMNE-së hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre, vendimi i presidentit ka bazë juridike. Mazhoranca, madje, citon mendimin e ndarë të katër gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese dhe jo vendimin e Gjykatës.
  
“Vendimi i presidentit të Republikës ka mbështetje juridike absolute, pasi ka mbështetje edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në mendimin e ndarë në të cilin pa dyshim kjo vërtetohet, përkatësisht kthehet në zbatim neni 11 i Ligjit për falje, i vitit 1993, sipas të cilit presidenti i Republikës, me përjashtim, fal pa zbatimin e procedurave kur është në pyetje interesi i shtetit”, - theksoi Lupço Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
“Flisni për katër gjykatës. Pse nuk i tregoni pesë të tjerët? Apo ata janë të tuajt dhe si të thonë?! Ata u nënçmuan. I bëtë lecka, z. Dimovski. Një herë, kur i detyruat që në nismën e Pavle Trajanovit të thonë se është kushtetuese të lëshohet parlamenti dhe pastaj në nismën e BDI-së, të thonë se nuk është kushtetuese”,- u shpreh Goran Sugarevski nga LSDM.
 
Opozita maqedonase, e mbështetur edhe nga BDI, ngriti nisëm për përgjegjësinë e presidentit të RM-së, pasi vlerëson se me vendimet e tij për abolim Ivanov ka shkelur disa nene të Kushtetutës dhe ka thelluar krizën politike.
 
SHPËTIM NUREDINI