Maqedoni

VMRO-DPMNE mbajti tubim në Strugë

26.03.2014 18:07

Kandidati për president të Maqedonisë nga Koalicioni për Maqedoni më të Mirë, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov...

Kandidati për president të Maqedonisë nga Koalicioni për Maqedoni më të Mirë, i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, në tubimin promovues në Strugë, premtoi se do të vazhdojë të punojë në integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ai njëherit bëri të ditur se nëse merr mandatin e qytetarëve si president i vendit, nuk do të lejojë ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.
 
“Para 5 vitesh e kërkova dhe e mora besimin tuaj. Ndërsa programi me të cilin dola para jush, u realizua. Realizova më shumë se sa ajo që ishte e paraparë. Nuk do të pranoj ide apo propozime që do ta rrezikonin identitetin nacional maqedonas, veçantinë e nacionalitetit maqedonas, gjuhën maqedonase dhe modelin maqedonas të bashkëjetesës. Edhe për kundër të gjitha sfidave nuk lëshojmë pe… Mandatin e përkushtova për hapjen e horizonteve të reja për Republikën e Maqedonisë, për ekonominë e vendit, arsimin, shkencën, kulturën, artin dhe sportin për të rinjtë. Gjithçka që bëra nuk isha vetëm. I dhashë mirënjohje të madhe Qeverisë për përpjekjet e bëra. Në vepër po dëshmon se si punohet për Maqedoninë. Janë sjellë rreth 2 miliard euro investime të huaja, janë paguar rreth gjysëm miliard euro subvencione për bujqësi. Janë realizuar reforma në pothuajse të gjitha sferat e jetës. Si president i Republikës së Maqedonisë, kisha bashkëpunim të mirë me kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe me ministrat. Mundësuam liberalizim të vizave për qytetarët tanë. E inkuadruam Maqedoninë në rrjedhën jugore të gazsjellësit. Siguruam investime të reja nga jashtë, u hapëm drejt tregjeve të reja dhe krijuam mundësi të reja për ekonominë maqedonase. Do ta promovoj ekonominë, mundësitë e saj dhe përparësitë e saj. Do të punoj për krijimin e kushteve të volitshme për jetë. Hoteleria përsëri duhet të zhvillohet në Strugë, këtu është edhe Jabllanica për turizmin në fshat. Qeveria tanimë po punon në tre autokampet, që të kthehen turistët në këtë qytet. Për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë është e domosdoshme infrastruktura. Duam ta kthejmë optimizmin se mund të jemi të suksesshëm jo vetëm në Shkup, por edhe në Strugë. Ka edhe shumë qëllime dhe projekte, na pret shumë punë”, u shpreh kandidati për president të RM-së, Gjorge Ivanov.
 
Ivanov poashtu theksoi se kjo e motivon dhe nxit që të vazhdojë më tej. Në këtë periudhë pamë politikë autentike maqedonase. I mbajmë miqësitë e vjetra dhe krijojmë miqësi dhe partneritete të reja. Maqedonia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe është e përgatitur për bashkëpunim ekonomik me ekonomitë e reja në zhvillim në botë.
 
Si kryetarë i Republikës së Maqedonisë, do të vazhdoj me përpjekjet për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Për gatishmërinë tonë flasin edhe 5 raportet pozitive dhe pesë rekomandimet e Komisionit Evropian, për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. E kërkojmë atë që e kemi merituar. As më shumë dhe as më pak se ajo. Ashtu si për të tjerët, ashtu edhe për ne. Në mandatin e kaluar, jam angazhuar për promovimin e Maqedonisë.   
 
Sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit, Ivanov tha se Maqedoninë duhet ta ndërtojmë si një shtet të zhvilluar ekonomikisht. Prioritet në punën e tij, ai tha se do të mbetet edhe më tej ekonomia, pasi e din se Strugës i nevojiten vende të reja të punës. 
 
Ashtu si edhe deri më tani edhe në mandatin e ardhshëm 5 vjeçar, Gjorge Ivanov do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare. Kështu u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në tubimin promovues të kandidatit presidencial të kësaj partie në qytetin e Strugës. Duke e kërkuar mbështetjen e struganëve, Gruevski tha se partia e tij punon për të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. 
 
Njëherit sipas Gruevskit, kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski, është i imponuar personalisht nga Branko Cërvenkovski, i cili në vitin 2004 e propozoi për ambasador në Bruksel, për ta shpërblyer për falsifikimin e zgjedhjeve.
 
“Atëherë Branko nuk ia arriti, ndërsa tani përsëri si Kalin e Trojës na e imponon, jo tanimë për ambasador, por për ta bërë kryetar të Republikës së Maqedonisë. E kësaj radhe vështirë do të kaloni. Kësaj radhe nuk vendos vetëm Nikolla Gruevski apo Antonio Milloshevski, kësaj radhe vendos Maqedonia. E Maqedonia mban mend, Maqedonia din të bëj dallime. Dhe saktë e din kush për çka përpiqet dhe kush para së gjithash i vendos interesat shtetërore dhe shtetin para së gjithash. Kryetari Gjorge Ivanov, në kuadër të ingerencave të tij, në pesë vitet e kaluara ka punuar palodhur dhe me përgjegjësi për Maqedoninë dhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Ai dëshmoi aktivitet të madh, angazhim, këmbëngulje dhe bëri një angazhim të madh, që të bind sa më shumë politikan në botë”, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski tha se Ivanov ka takuar kryetar, kryeministra, ministra dhe persona tjerë me ndikim, nga të cilët varet ardhmëria e Maqedonisë, përkatësisht të cilët në njëfarë forme mund të ndihmojnë në ndonjë proces të rëndësishëm për Republikën e Maqedonisë. Populli e njeh presidentin Gjorge Ivanov, ai tanimë nuk është i ri në skenën politike. Nuk ka improvizime, e dinë se sa ai vlen dhe ka dhënë llogari për atë se çka është punuar, si shprehje më e madhe e respektit ndaj qytetarëve. Transparencë e qartë dhe me përgjegjësi.
 
Sipas Gruevskit, kundërkandidati i tij nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, nuk ka kurrfarë programi, vetëm nga ajo që ka thënë ai, e dimë se do ta zgjidh kontestin me emrin me dyer të mbyllura dhe se është dashur të ofrojmë vazhdimisht zgjidhje për emrin edhe atë publikisht, ashtu siç e bënte mentori i tij politik, Branko Cërvenkovski.
 
Një president i tillë, sipas Gruevskit, nuk i duhet Maqedonisë. Ndërsa Gjorge Ivanov ishte dhe do të mbetet promotor i vlerave që i ndajmë dhe do të punojë sipas parimeve të konfirmuara, të cilët tanimë kishim mundësi t’i shohim në skenë të hapur në këto pesë vite. 
 
Poashtu sipas Gruevskit, Gjorge Ivanov din të bashkojë dhe ne na duhet pikërisht kjo, njëri që bashkon dhe punon për interesat e popullit, për ata që ne punojmë dhe kontribuojmë dit dhe natë. Ai punon dhe kujdeset njësoj për interesin nacional dhe shtetëror. Nuk na duhet intrigant i ri për president, i cili do të bëjë ngatërresa dhe do të punojë pas shpinës së qytetarëve. Besoj te Gjorge Ivanov tha Gruevski, pasi sipas tij, vendit i duhet njëri që punon për unitet shtetëror dhe ai e bën atë. Për mbrojtjen e interesave vitale shtetërore, për avancimin e mirëqenies dhe jetës së të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë, mbështeteni Ivanovin, sepse pozicionet dhe angazhimet e tij sa i përket politikës së jashtme, janë të qarta dhe precize, të shënuara në programin e tij.
 
Populli është ai që vendos dhe ka të drejtë të pyetet kur janë në pyetje çështjet kyçe për një shtet, tha Gruevski, i cili poashtu si arsye pse duhet votuar kandidati i VMRO-DPMNE-së, përmendi edhe atë se Ivanov angazhohet për sundimin e së drejtës dhe ndërtimin e kulturës së respektimit të ligjeve. E di se dikujt kjo nuk i ka pëlqyer në vitet e kaluara, e di se disa njerëz dëshirojnë promovimin e vlerave krejtësisht tjera, por Gjorge Ivanov ka qëndruar fuqishëm pas pozicioneve të tij. Te Gjorge Ivanov do të gjeni edhe njeriun që së bashku me ne punon për hapjen e vendeve të reja të punës, tha Gruevski. 
 
Ai njëherit paralajmëroi edhe një investim të ri në Strugë, përkatësisht hapjen e një fabrike gjermane për pjesë të automjeteve. Para tubimit në Strugë, kandidati presidencial i VMRO-DPMNE-së, Gjorge Ivanov, ka mbajtur takim me banorët e Vevçanit. 
 
Ai me këtë rast ka theksuar se vizion i përbashkët është që qytetarët të punojnë dhe të fitojnë paga solide. Me punë dhe krijimin e vlerave të reja materiale dhe intelektuale, mund të arrijmë mirëqenie në shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Maqedonisë. Vendet e reja të punës e lëvizin ekonominë tonë përpara. Maqedonia patjetër duhet të ofrojë më shumë mundësi për ata të cilët punojnë me përkushtim dhe janë të gatshëm ta shfrytëzojnë kapacitetin dhe të japin mundin e tyre, që ta sigurojnë të tashmen dhe të ardhmen e familjeve të tyre.
 
Të krijojmë mundësi për individët kreativ dhe inovativ, pronarë dhe punëtorë, që t’i zhvillojnë bizneset e tyre, të hapin biznese dhe vende të reja të punës, tha Ivanov-i. Republika e Maqedonisë mbetet e hapur për të gjithë, përpjekjet për tu bashkangjitur në familjen evropiane dhe euroatlantike të vendit, që i bashkon të gjithë qytetarët e Maqedonisë.
 
Poashtu nga partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, në një pres-konferencë të sotme ka prezantuar një skandal financiar, ku rezulton të jetë i përfshirë Petre Shilegov. Daniella Rangellova nga VMRO-DPMNE, ka deklaruar sot se kanë kaluar disa ditë dhe ka heshtje absolute nga Petre Shillegov. Ai nuk tha asgjë rreth asaj se pse si kryetar i komisionit të shkallës së dytë qeveritar, për ankesa për furnizime publike, ka reaguar në kundërshtim me Ligjin dhe e ka pranuar ankesën e Semos. 
 
“Ndërsa sot publikojmë skandal të ri, ku qartë shprehim dyshimin se bëhet fjalë për sistem të organizuar të montimit të tenderëve, në të cilin fjalën kryesore e ka Shilegov”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
 
Sipas kësaj partie, në një shpalljen publike të ministrisë së Mbrojtjes, për furnizimin me vaj për ushqim nga luledielli, është përzgjedhur kompania “Brilijant” nga Shqipëria, në pronësi të sponsorit të Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Mite Nikollov. 
 
Sipas VMRO-DPMNE-së, në këtë shpallje publike është ankuar kompania “Pekabesko”. Oferta e ankuesit nuk është shqyrtuar fare nga komisioni i Shilegovit edhe pse kishte ofertën më të ulët, me arsyetimin se nuk posedon dokument për të vërtetuar se produkti nuk është i rrezikshëm për shëndetin nga analiza të kryera në institucionet e autorizuara për kontrollë të kualitetit ose certifikatë për prejardhjen dhe kualitetin.
 
“Pekavbesko megjithatë ka poseduar një dokument të tillë”, thonë nga VMRO-DPMNE, që ka qenë i lëshuar nga prodhuesi.
 
Vet thirrja lejon që përveç nga institucionet e autorizuara për kontrollin e kualitetit, të parashtrohet edhe certifikatë për prejardhje dhe kualitet. Gjendja sipas VMRO-DPMNE-së, është e qartë, SHilegov ka refuzuar ta ofertën me çmim më të ulët, prandaj ky sipas tyre është rast për padi penale. Prandaj kur pikërisht këtë njëri e ka ofruar LSDM-ja për bartës liste, kjo paraqet dyfytyrësi dhe nënçmim për qytetarët. (Gyltene Sinani, TVM2)