Maqedoni
Tetovë, përurohet kabineti i ri i informatikës
16.06.2016 17:14
Në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë u hap kabineti i informatikës, një pilot-projekt ky i cili është financuar nga “Microsoft” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit...

Nga ky projekt do të përfitojnë të gjithë nxënësit e kësaj shkolle së bashku me mësimdhënësit.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës vlerëson që inovacioni dhe teknologjitë e inovacionit dhe komunikimit janë vendimtare dhe luajnë një rol kryesor për të transferuar dhe moderuar cilësinë e arsimit. Në shkollën e mesme “Nikolla Shtejn” këtu në Tetovë do të realizohen një sërë trajnimesh për mësimdhënësit si dhe grupe tjera në interes për të mësuar, shqiptuar dhe vlerësuar se si programet dhe platforma e Microsoft në arsim ju mundëson nxënësve dhe të rinjve të fitojnë aftësitë e shekullit XXI”,- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
“Me qëllim që të arrihet më shumë, ajo që është me rëndësi për Microsoft është edukimi i brezit të ri. Microsoft gjithnjë ka tentuar që të jetë pjesë dhe do të jetë edhe në të ardhmen e edukimit të këtyre brezave të rinj”,- tha drejtori i “Mikrosoft”-it, Ljupço Geogerov.
Kryetarja e Komunës së Tetovës u shpreh se fakti që është përzgjedhur një shkollë nga Komuna e Tetovës tregon cilësinë që kanë shkollat në këtë komunë.
“Fakti që njëra prej shkollave të mesme të Komunës së Tetovës, në këtë rast shkolla e mesme e mjekësisë, është e përzgjedhur për të privilegjuar me këtë projekt nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe nga ana e shoqërisë informative. Një vit që lamë pas ka qenë mjaft i suksesshëm si në investimin infrastrukturor në shkollat tona dhe në të njëjtën kohë edhe në kuptimin e ngritjes së kualitetit”,- theksoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Projekte të këtilla priten të fillojnë edhe nëpër shkolla tjera të vendit.
VISAR SADIKI
