Maqedoni

Kumanovë, vdes lehona gjatë operacionit, spitali: Nuk ishte gabim i mjekëve

16.06.2016 17:20

Rasti i djeshëm në spitalin e Kumanovës, ku pas marrjes së anestezionit ka ndërruar jetë lehona 37 vjeçare, Sllagjana Demirovska, nga Kriva Pallanka, ka shkaktuar reagime të shumta...

Ajo, dje në spitalin e Kumanovës kishte sjellë në jetë fëmijën mashkull të shëndoshë. Mirëpo, për shkak të komplikimeve pas marrjes së anestezionit lehona nuk është zgjuar, për çka rreth orës 15 ajo është dërguar në Qendrën emergjente “Karil” në Shkup, ku për fat të keq edhe ka ndërruar jetë. 
 
“Pas një ore shkova ta vizitoj bashkëshorten dhe erdhi doktori me rrobat e bashkëshortes dhe nuk më sqaroi asgjë, ndoshta ata kanë ditur diçka. Pastaj erdhi doktor Ivani, u përshëndetëm, dhe menjëherë më tha se i vjen keq  që s’kanë mundur ta shpëtojnë gruan”,- deklaroi  bashkëshorti i lehonës së vdekur, Elvis Jusufov.
 
Drejtori i spitalit, Arif Latifi, në një konferencë për gazetarë i hodhi poshtë të gjitha spekulimet për gabime eventuale gjatë intervenimit të mjekëve në spitalin e Kumanovës.
 
“Pas operacionit, pacientja ka pasur disa probleme me frymëmarrje dhe mjekët tanë kanë bërë gjithçka që ajo të zgjohet, por pasi u pa se një gjë e tillë nuk do mundet, janë marrë të gjitha masat e anesteziologëve me përvojë, është dërguar në Klinikën për mjekim intensiv në Shkup dhe atje janë marrë të gjitha masat, mirëpo për fat të keq pacientja ka ndërruar jetë në 15:40 në Shkup”,- u shpreh drejtori i Spitalit Të Kumanovës, Arif Latifi.
 
Kjo ka qenë shtatzënia e shtatë tashmë e të ndjerës, Sllagjana Demirevska, kurse pas vete ka lënë katër fëmijë.
 
NEXHAT AQIFI