Maqedoni

Bashkëdrejtuesja në qeverinë shqiptare, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, ka dalë hapur kundër kryeministrit, Edi Rama, për reformën në drejtësi.

16.06.2016 17:30

Përfaqësues të katër partive politike sot ndërprenë bisedimet në rezidencën e BE-së në Përzhinë pa arritur ndonjë rezultat konkret...

Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, tha se bisedimet janë ndërprerë me faj të VMRO-DPMNE-së, të cilëve nuk u konvenojnë zgjedhjet fer dhe demokratike. 
 
“Bisedimet janë ndërprerë. Gjithmonë kur vijmë deri tek dy temat më të dhimbshme për VMRO-DPMNE-në, ato janë lista zgjedhore, përkatësisht 330 mijë procesverbale kontestuese, dhe rregullimin e fushës mediale, atëherë  VMRO-DPMNE ndërpret bisedimet. Është e qartë se VMRO u ikë zgjedhjeve fer dhe demokratike”,- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.                                                                                                                                 
Por, nga BDI shpresojnë se bisedimet do të vazhdojnë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, duke dhënë rezultate konkrete.  
                                                               
“BDI ka theksuar se insiston në realizimin e plotë të kësaj marrëveshje dhe gjithsesi se shpreson se në kuadër të këtyre bisedave të niveleve të dyta, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, të arrihet që të dilet nga kjo krizë tanimë më shumë se një vjet e gjysmë në të cilën gjendet vendi”,- tha Teuta Arifi nga BDI. 
 
Ambasadori i BE-së, Aivo Orav, tha se përfaqësuesit e partive politike janë larguar për shkak të konsultimeve shtesë. Ndërkaq, ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, porositi partitë politike se vetëm Marrëveshja e Përzhinës mund të nxjerrë vendin nga kriza.              
                                                                                                            
“Sot i përfunduam bisedimet. Katër partitë kanë nevojë për më shumë konsultime brendapartiake dhe me KShZ-në. BE mbetet në dispozicion të partive për të vazhduar bisedimet, por rikujtojmë se koha kushton para”,- theksoi ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
 
“Zgjidhja për krizën politike është zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës. Kemi takime dhe po punojmë në realizimin e marrëveshjes, e cila dha kahjet për vërtetimin e përgjegjësisë pas publikimit të bisedave të përgjuara. Shpresoj se do të pasojnë reforma dhe zgjedhje kredibile me pjesëmarrjen e qytetarëve. Kjo është esenca e Marrëveshjes së Përzhinës, kjo është rruga për dalje nga kriza politike”,- u shpreh ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
Përfaqësuesit e katër partive politike në takime kanë biseduar për listën zgjedhore dhe rregullimin e mediave. Vazhdimi i bisedimeve, sipas ndërkombëtarëve, varet vetëm nga partitë politike.
 
MERAL ISMAILI