Maqedoni

Çavkov dhe Nuhiu: Hetim dhe ndëshkim për policët që keqtrajtuan të akuzuarit

16.06.2016 17:54

Ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, dhe zëvendësi i tij, Agim Nuhiu, paralajmërojnë hetime dhe masa ndaj pjesëtarëve të policisë...

Ministri i Brendshëm, Mitko Çavkov, dhe zëvendësi i tij, Agim Nuhiu, paralajmërojnë hetime dhe masa ndaj pjesëtarëve të policisë, të cilët mund të kenë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë transportimit të të akuzuarve të “Grupit të Kumanovës” nga burgu për në Gjykatë.“Kohë pas kohe paraqiten ankesa të tilla, prandaj ne patjetër do të duhet që të mendojmë edhe për një zgjidhje sistemore”,- ka theksuar Çavkov.
 
“Çdo ankesë apo çdo sinjal për keqpërdorim të detyrës së policisë, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për person të dyshuar apo preson që është i akuzuar për sjellje të keqe të policisë, ne sigurisht do t’i hetojmë ankesat edhe atë në një periudhë sa më të shkurtë kohore. Kur paraqiten kohë pas kohe ankesa të tilla, ne patjetër do të duhet që të mendojmë edhe për një zgjidhje sistemore, për mënyrën, procedurën dhe standardin e transportit të të dyshuarve nga vendi kur privohet nga liria deri në stacionin policor, nga stacioni policor në Gjykatë e në burg, pasi që me të vërtetë duam që t’i eliminojmë këto keqpërdorime në procese të këtilla”, - tha ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Edhe zëvendësministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, paralajmëron se nëse vërtetohet se policët kanë kaluar kompetencat e tyre, do të ndëshkohen konform ligjit. 
 
“Kemi angazhuar shërbimet për të verifikuar faktin se a janë të involvuar pjesëtarët e MPB-së në rastin në fjalë.  Pjesëtarët e MPB-së bëjnë vetëm sigurimin e transportit të të akuzuarve nga burgu deri në gjykatë dhe anasjelltas. MPB-ja nuk ka kompetenca mbi gardianët e burgut. Por, dinjiteti njerëzor duhet të respektohet ndaj gjithsecilit edhe në rastet kur ka akuza për cilëndo qoftë vepër penale. Do të ketë përgjegjësi për pjesëtarët e MPB-së që keqpërdorin autorizimet ligjore dhe shkelin standardet profesionale.”- thotë zëvendësministri Nuhiu.
 
Këto komente erdhën pas akuzave në disa media se pjesëtarët e Forcave Speciale kanë torturuar ish-komandantët e UÇK-së, të cilët akuzohen për incidentin në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë. 
 
Ndërkohë, sot ka vijuar seanca gjyqësore, e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi ka vijuar leximi i deklaratave të dëshmitarëve të mbrojtur.
 
ERSAN PAJAZITI