Botë

Lufta për Falluxhan vazhdon, kampet e refugjatëve pa ujë e ushqim

17.06.2016 15:52

40 mijë civilë kanë mbetur të ngujuar në Falluxha, në mes të forcave të ISIS-it nga njëra anë, që duan të mbajnë kontrollin e qytetit, dhe forcave qeveritare nga ana tjetër, që luftojnë për çlirimin e tij...

ISIS po përdor mburojën njerëzore të civilëve për të ngadalësuar përpjekjet e ushtrisë irakiane për rimarrjen e Falluxhës.
 
Por, kampet e refugjatëve përreth Falluxhës janë në prag të një krize të thellë humanitare. Mijëra njerëz janë në prag të etjes dhe urisë, rezervat janë në fund dhe lufta që ka filluar prej tre javësh nuk ka ndërmend të mbarojë.
 
Grupet e ndihmës mezi sigurojnë ujë dhe ushqim për ata pak fatlumë që arrijnë të largohen nga qyteti. 
 
“Ka shumë erë dhe pluhur. Po mundohen të na ndihmojnë sa munden, por ne po vuajmë. Disa prej tendave po rrëzohen, nuk kemi pasur energji elektrike dy ditët e kaluara dhe po vërehet edhe mungesa e ujit”,- tha i zhvendosuri, Mohammed Hayis.
 
“15 ditët e fundit i kaluam duke u përpjekur të merrnim ushqim me disa triska ushqimi që na dhanë në fillim, por tani na thonë se jemi shumë gjatë këtu e nuk munden më të na mbajnë. A nuk kemi vuajtur mjaft unë dhe fëmijët e mi? Menduam se nëse rrinim atje do na vriste ISIS, ose do vriteshim nga bombardimet. Por, kjo do kishte qenë më mirë se fyerja që po na bëjnë në këtë kamp. Këtu duhet të lutemi për ujë dhe ushqim”,- theksoi e zhvendosura, Um Omar.
 
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka një tjetër frikë. Që nga viti 2014, kur qyteti ra në duart e ISIS-it, fëmijët atje nuk vaksinohen.
 
“Këta njerëz kanë ardhur nga zona të cilat nuk kanë përkujdesje mjekësore për një kohë të gjatë. Ata nuk kanë marrë vaksina tanimë 14 muaj. Njerëzit brenda Falluxhat nuk kanë as përkujdesje primare shëndetësore. Nuk kemi ide çfarë uji pinë, as për nivelin e pastërtisë së tij. Mendojmë se rreziku i shpërthimit të sëmundjeve është shumë i lartë”,- deklaroi drejtoresha rajonale e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ala Aluan.
 
Teksa lufta për Falluxhën duket se ende do të zgjasë, ekipet e ndihmës kërkojnë që t’u sigurohen me urgjencë ushqime, ujë dhe medikamente, sidomos vaksina për fëmijët. 
 
RAJHANE BUSHI-METAJ