Botë
Moti i nxehtë në ShBA, zjarr në Kaliforni, qindra të evakuuar
17.06.2016 15:54
Qindra njerëz janë detyruar të evakuohen si pasojë e rrezikut të zjarrit që ka përfshirë jugun e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës...

Moti i nxehtë dhe ngritja e menjëhershme e temperaturave kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke ngritur shqetësime shëndetësore për të gjithë banorët e rajonit.
Autoritetet kanë kërkuar evakuimin e 400 banesave në zonat e prekura nga zjarri. Pjesë e evakuimeve janë bërë edhe kampet, fermat, kafshët etj. Sipas informacioneve nga Qendra informative e katastrofave natyrore, zjarri është aktivizuar që nga e mërkura në një zonë të shkretë në veriperëndim të Santa Barbaras dhe deri tani ka djegur një sipërfaqe mbi 490 hektarë tokë, fusha dhe pyje.
Në operacionet e stabilizimit të situatës janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës, me ndihmën edhe të ndërhyrjeve nga ajri me helikopterë. Zjarri gjithashtu ka detyruar mbylljen e dy plazheve publikë në zonë, teksa autoritetet evakuojnë pushuesit dhe bizneset.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte paralajmëruar për temperatura të larta në Kaliforni, Nevada dhe Arizona. Zyra e Parashikimit të Motit thotë se temperaturat do të vijojnë të qëndrojnë në mbi 40 gradë celsius edhe gjatë ditëve të ardhshme.
GAZMEND KURTISHI
