Maqedoni
BDI raporton për projektet e realizuara
26.03.2014 18:17
BDI raportoi sot për projektet infrastrukturore që kjo parti ka realizuar me sukses gjatë mandatit 6 vjeçar...
BDI raportoi sot për projektet infrastrukturore që kjo parti ka realizuar me sukses gjatë mandatit 6 vjeçar. Nga BDI thonë se Korridori 8 dhe Rruga e Arbërit, janë impuls për zhvillim të sigurt të Dibrës së Madhe dhe të Dibrës së Vogël.
Ndërsa ndërtimi i autostradës, Tabanoc- Kumanovë, me gjatësi prej 7.6 km, rikonstruimi i tërësishëm i rrugës Strugë – Dibër në gjatësi prej 52.7 km, ndërtimi i rrugës në kufi me Shqipërinë në Xhepçishtë, rikonstruimi dhe zgjerimi në Urën e Boshkut -Urën e Garriut, rikonstruimi me zgjerim i rrugës Tetovë-Jazhincë, si dhe rehabilitimi i rrugës Tetovë – Bogovinë, janë garanci për zhvillim të barabartë të rajoneve, thonë nga BDI.
“Ndërtimi i rrugës që na afron dhe na lidh me njëri-tjetrin, është pikërisht rruga që kemi ecur ne gjatë qeverisjes sonë. Shkurtimi i distancës fizike mes nesh, mes nesh dhe Shqipërisë, mes nesh dhe Kosovës, është projekti kombëtar i ditëve të sotme. Ky pohim mbështetet me projektet kapitale që po jetësojnë atë që quhet Korridori 8. Gjithsej 900 milion euro kemi akorduar dhe paraparë për të gjitha këto ndërmarrje, një pjesë e të cilave ka nisur dhe një pjesë tjetër ka përfunduar. Autostrada Kërçovë –Strugë dhe Gostivar-Qafë Thanë, akset rrugore Kërçovë-Strugë-Ohër, Strugë- Qafë Thanë dhe Trebenisht- Strugë, janë arteriet ekonomike e kulturore që na lidhin me Shqipërinë. Autostrada Shkup-Bllacë, rrugët Likovë-Gjilan, Llojan- Mitrovicë, Stançiç- Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde, janë damarët që do të mbajnë të zhvilluar më mirë se kurdoherë lidhjet tona familjare, kulturore dhe ekonomike me Kosovën”, deklaroi Rexhail Ramadani nga BDI.
Ndërtimi i urës në Pllasincë, sanimi i urës në seksionin e Gostivarit afër fshatit Novo Sellë, sanimi i urës në seksionin Gostivar-Strazhë dhe ndërtimi i urës në Saraj, janë vetëm disa nga urat që janë ndërtuar dhe meremetuar në periudhën e qeverisjes së BDI-së.
Integristët poashtu njoftuan se për zhvillimin e zonave rurale, në të gjitha komunat me shqiptarë, kanë siguruar që nga viti 2008 -2013 gjithsej 181 milion euro në subvencione, për të ndihmuar bujqit, ndërsa për të lehtësuar jetën dhe punën e tyre, kanë investuar 511.9 milion denarë. (Sanije Kasami, TVM2)
