Maqedoni

Prokuroria Speciale Publike, Arifi: Pengimi i PSP-së shton krizën në gjyqësor

17.06.2016 16:58

Jetësimi në përpikëri i Marrëveshjes së Përzhinës është kushti i radhës për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike...

Kjo nënkupton kushte për zgjedhje të besueshme, reforma në media, si dhe bashkëpunimin e të gjitha institucioneve me Prokurorinë Speciale, e cila ka hapur hetime për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të shtetit në mashtrime zgjedhore dhe afera korruptive.
 
Por, puna e Prokurorisë Publike Speciale po pengohet pikërisht nga institucionet. Gjykata Penale vazhdon të kthejë kërkesat e PSP-së. Kushtetutshmëria e Speciales nuk po vjen  në rend dite në Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që pushteti vazhdon akuzat ndaj saj. 
 
Për njohësen e së drejtës penale, Besa Arifi, pengimi i punës së Prokurorisë Speciale është vetëm blerje kohe që PSP të humbasë autonominë dhe kredibilitetin për të cilin është formuar. Sipas saj, vazhdimi i kësaj praktike negative ndaj punës së PSP-së do ta thellojë edhe më shumë krizën në sistemin e drejtësisë.   
 
“Sa më gjatë që zgjat ky proces dhe sa më tepër që tregohet rezistencë ndaj punës së PSP-së, aq më shumë vërtetohet se gjyqësori nuk është i pavarur dhe është i manipuluar nga pushteti. Kjo është pasoja që kredibiliteti i saj të humbasë nga dita në ditë në vendimet e tilla të kontestueshme juridikisht. Pengimi i punës së PS-së, për fat të keq, vazhdon edhe më tej dhe kjo shihet me mënyrën e veprimit, veçanërisht me Gjykatën Penale, si dhe në mënyrën se si Gjykata Kushtetuese akoma taktizon me iniciativën e ngritur për para saj për të vlerësuar kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale”,- deklaroi analistja, Besa Arifi.
 
Sipas saj, nuk ka dyshim se në interes të të gjithëve është që Gjykata Kushtetuese të deklarohet pozitivisht për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale dhe të zgjidhen deri në fund rastet e ngritura nga PSP, sepse përndryshe nuk mund të kthehet besimi në sistemin gjyqësor. 
 
“Normal kjo është në kundërshtim me interesat e palës tjetër që është në pushtet dhe normal që nuk kanë interes që këto të zgjidhen për shkak se duhen të përballen me sanksione të rënda të cilat janë parapara me ato vepra penale për të cilat është krijuar PSP. Megjithatë, çdo lloj prolongimi do të thotë shumë për  sistemin gjyqësor në Maqedoni, për shkak se që në fillim ky sistem u ballafaqua me akuza të mëdha se nuk është i pavarur dhe nuk e mbron drejtësinë në vend”,- analistja, Besa Arifi.
 
Në agjendën e Gjykatës Kushtetuese as për të mërkurën tjetër nuk është vendosur në rend dite iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale të dorëzuar para tetë muajve. 
 
REXHEP QAMILI