Maqedoni
“Transportuesi”- arresti për Taleskin, VMRO-DPMNE: Rasti është përndjekje politike
17.06.2016 16:59
VMRO-DPMNE i ka dalë në mbrojtje kreut të Komunës së Manastirit, Vlladimir Talevskit, duke e cilësuar arrestin e tij si përndjekje politike...

Partia maqedonase në pushtet ka akuzuar LSDM-në për presion mbi gjykata, ndërsa prokuroren speciale për qasje selektive.
“Vlladimir Talevski është viktimë e përndjekjes politike të Zoran Zaevit. Ai është simbol i politikës së tyre të pasuksesshme dhe destruktive, përmes të cilave përpiqen të dëmtojnë VMRO-DPMNE-në në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”,- deklaroi Ivica Konevski nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleski, i akuzuari i parë i PPS-së në rastin “Transportuesi”, është në arrest shtëpiak pasi Gjykata refuzoi edhe kërkesën e PPS-së për arrestimin e Talevskit, por edhe ankesën e Talevskit që t’i kthehet pasaporta, pasi gjykatësi në procedurë paraprake kishte caktuar si masë sigurie marrjen e pasaportës.
"Vendimi i gjykatësit në procedurën paraprake, në 13 qershor të këtij viti, me rastin e propozimit të PSP-së për caktim të masës së paraburgimit të personit V. T. ndërrohet dhe përcaktohet masë paraburgimi shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditëve, llogaritur nga gjetja e tij dhe privimi nga liria”, - thuhej në kumtesën e Gjykatës.
Sipas gjykatës, masa arrest shtëpie është shqiptuar në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Vlladimir Talevski nuk guxon t’a braktisë shtëpinë e tij pa lejen e gjykatës, e nëse nuk i përmbahet ndalesës, do t’i shqiptohet masa e paraburgimit. Mbikëqyrjen e Taleskit do ta bëjë policia në Manastir.
SHPËTIM NUREDINI
