Botë

Emri i Maqedonisë, debat i ashpër në parlamentin grek

17.06.2016 17:17

Çështja e emrit të Maqedonisë përsëri ka shkaktuar përplasje të ashpër në mes të partisë “Nea Democratia” dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias...

Deputetët dhe ministri këmbyen akuza  patriotizmi se kush i mbron interesat kombëtare greke dhe kush ka lëshuar pe në çështjen e emrit.

Shkak i këtij debati u bë vendimi për ribrendimin e Agjencisë shtetërore të lajmeve që parasheh ndryshimin e logos, nga ku do të hiqet termi ”maqedonase”.

Logoja e vjetër e Agjencisë informative athinaso-maqedonase përmban diellin dhe emrin e plotë të agjencisë, ndërkaq me ndryshimin e propozuar do të mbajë vetëm fjalën “Agjencia”.

53 deputetët e djathtë konsiderojnë se heqja e fjalës “maqedonase” është një shkelje e historisë greke dhe ofendim për opinionin.

Ministri Kotzias i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat ndaj tij për gjoja zbutje të qëndrimeve greke, duke thënë se ndryshimi i logos nuk ka ndonjë lidhje thelbësore me politikën e jashtme greke.