Maqedoni
Bisedimet e “Përzhinës”, Musliu: Do të vazhdojnë me rezultate konkrete
18.06.2016 15:19
Bisedimet e Përzhinës do të vazhdojnë për të dhënë rezultate konkrete, edhe përkundër ndërprerjes ditë më parë vlerëson analisti Albert Musliu...

Sipas Musliut ndërprerja e bisedimeve është pjesë e strategjisë negociuese të VMRO-DPMNE-së.
Në treyzën e bisedimeve sipas Musliut nuk bisedohet vetëm për çështjen e procesit zgjedhor dhe mediat por më detajisht edhe për segmente të tjera të Marrëveshjes së Përzhinës, andaj edhe kompromiset janë të vështira.
“Gjitha palët të cilat janë të mbledhura në këto negociata janë të vetëdijshme se ndonjë marrëveshje patjetër duhet të arrihet dhe ajo do të arrihet. Ndërsa këto episode ndërmjet, janë episode të strategjisë negociuese. Unë mendoj se nuk negociohet vetëm për tre çështjet kruciale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, por mendoj se pakoja është pak më e madhe. Mendoj se diskutohen gjitha ato probleme të cilat u paraqitën gjatë implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës”, shprehet analisti politik Albert Musliu.
Musliu thotë se partitë politike përkundër taktizimeve i kanë kuptuar edhe mesazhet e ndërkombëtarëve se vetëm Përzhina mund të nxjerrë vendin nga kriza ndërkaq humbja e kohës kushton para.
“Ky proces nuk do të zgjasë më shumë se një ose dy javë. Koha është e limituar edhe për pjesëmarrësit ndërkaq edhe durimi I partnerëve tonë ndërkombëtarë është duke shkuar kah fundi”, shprehet analisti politik Albert Musliu.
Për ndërprerjen e bisedimeve LSDM fajësoi VMRO-DPMNE-në me akuzat se gjithmonë tërhiqet nga negociatat kur hapen temat e dhimshme për ata siç janë procesi zgjedhor dhe mediat.
BDI shfaqi optimzimin se bisedimet do të vazhdojnë duke sjellë edhe rezultate konkrete.
MERAL ISMAILI
