Maqedoni

Fushata e BDI-së, “Jo president të njëanshëm në Saraj”

26.03.2014 18:33

BDI, mbrëmë ka realizuar një takim me simpatizantët e kësaj partie në Saraj të Shkupit, ku ka promovuar idenë për t'i thënë jo zgjedhjeve presidenciale...

BDI, mbrëmë ka realizuar një takim me simpatizantët e kësaj partie në Saraj të Shkupit, ku ka promovuar idenë për t'i thënë jo zgjedhjeve presidenciale. 
 
Lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti, u shpreh se në Maqedoni jetojnë edhe shqiptarët, por jetojnë të ndarë në këtë shtet dhe se tani duhet të fillohet të promovohen figura, personalitete që i afrojnë qytetarët në Maqedoni, e jo që i ndajnë. Ai tha se në dy dekadat e fundit, me zgjedhjet presidenciale, janë bërë eksperimente, përfshirë edhe 10 vitet e fundit, ku edhe BDI deri më tani ka garuar në zgjedhjet presidenciale.
 
Ahmeti shprehu keqardhje për PDSH dhe kandidatin e saj Iljaz Halimi, të cilët nuk iu bashkuan idesë së BDI për t’ju dhënë rëndësi shqiptarëve. Ahmeti, mbështetësve të vet në Saraj, u bëri thirrje që ditën e zgjedhjeve presidenciale, të rrijnë në shtëpitë dhe të mos luajnë nga vendi, duke shtuar se kur do të vijë koha për një president të pranueshëm, atëherë edhe vetë BDI do të jep kontribut. 
 
“Njëzet vite janë bërë eksperimente, këto 10 vite e kam provuar edhe unë vetë personalisht dhe bëheshim të sigurt se fitojmë presidentin në Maqedoni, apo siç ndodh tani me z. Iljaz Halimin, e që më vjen keq. Unë kam ftuar oponentët tanë se hajde të bashkohemi rreth idesë kombëtare, ta shtyjmë bashkë këtë proces, t’i bëjmë të rëndësishëm shqiptarët në Maqedoni. Me kandidaturën e Iljaz Halimit, lëndohet pak ideja e BDI-së dhe kjo është një ashkël e vogël në trupin e shëndoshë, që nuk ia merr as imunitetin e as forcën BDI-së”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Vota e shqiptarëve është e vlefshme dhe nuk guxon  t’u falet atyre që për pazarllëqe nëpër kafenetë e Shkupit, i shesin interesat e shqiptarëve për interesat e tyre, theksoi shefi i Shtabit Qëndror Zgjedhor, Abdylaqim Ademi. Ai njëherësh rikujtoi të kaluarën politike të Iljaz Halimit, duke përmendur “Shkupin 2014”, që mbanë autorësinë e tij. 
 
“Kohëve të fundit ka filluar një fushatë kundër BDI-së nga të gjitha subjektet politike në vend dhe kemi sulme nga të gjitha anët. Partitë politike maqedonase na sulmojnë dhe ata duke sulmuar BDI-në, dëshirojnë që të rrisin vertiktinë e tyre dhe numrin e votave, mirëpo për ne është ironike sulmi që bëhet nga oponenti ynë PDSH dhe kryetari i saj, i cili në të ashtuquajturat takime me qytetarë, na sulmon ne. Ai thotë se ne duhet të kërkojmë falje për projektin që mban autorësinë e tij “Shkupi2014”. Ç’farë cinizmi. Ai është njëri që nuk i intereson Shkupi dhe ai tha se ne e kemi dhënë pëlqimin për “Shkupin 2014”, theksoi shefi i Shtabit Zgjedhor, Abdylaqim Ademi.
 
Para të pranishmëve, me fjalimin e tij u paraqit edhe Rafis Haliti, kandidati për deputet,  i cili tha se shqiptarët në 20 vitet e fundit, sa u përket zgjedhjeve presidenciale, çdoherë janë akuzuar për mbushje të kutive të votimit. 
 
Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, theksoi se me veprimet e fundit politike që ka bërë BDI dhe me idenë e madhe për konsenzusin, vetëm se forcon konceptin e shqiptarëve në Maqedoni për shtetformim. (Afrim Tanallari, TVM2)