Suedi, do të dëbohet boshnjaku që ka lidhje me ISIS
Autoritetet e Suedisë kanë bërë të ditur se do ta dëbojnë një person nga Bosnja, i cili kishte kërkuar azil në Suedi, por është i dyshuar se është anëtar i grupit ekstremist, Shteti Islamik..

Autoritetet suedeze të imigrimit thanë se ky person, 46 vjeçar, paraqet “rrezik për siguri” dhe ishte i shënuar nga Franca në bazën e të dhënave të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Autoritetet, mëtutje, kanë theksuar se kërkesa për azil e këtij personi të paidentifikuar është refuzuar, pasi ishte cilësuar e pabazë, pasi Bosnjë Hercegovina, që synon integrim në BE, konsiderohet shtet i sigurt nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së.
Por e përditshmja suedeze, Sydsvenskan dhe mediat e tjera, kanë raportuar se ai kishte lidhje me grupin ekstremist, Shteti Islamik, ndërsa kishte arritur në Malme të Suedisë më 13 qershor me aeroplan nga Bosnja me katër fëmijët e tij.
