Maqedoni

Mirëmbajtja e banesave, OEM: ka keqpërdorime në fondin rezervë

20.06.2016 13:20

Oda Ekonomike e Maqedonisë kërkon që personat përgjegjës për mirëmbajtjen e objekteve të përbashkëta...

Oda Ekonomike e Maqedonisë kërkon që personat përgjegjës për mirëmbajtjen e objekteve të përbashkëta të banimit të japin llogari të qarta para qytetarëve se për çfarë përdoren pagesat e tyre.
 
Qytetarët më së shumti ankohen kur kanë defekte të mëdha në ndërtesat e tyre dhe këto defekte nuk mbulohen me paratë nga fondet rezervë që duhet të ketë çdo ndërtesë sipas ligjit, po ju kërkohet pagesë e re banorëve, me arsyetimin se fondet rezervë janë harxhuar për mirëmbajtjen mujore të ndërtesës dhe kjo është kundër ligjit, thonë kompetentët. 
 
“Fondi rezervë më së shumti mbrohet nga shteti. Në fondin rezervë hyjnë mjetet që përdoren për investime, që nënkupton derën, pompën, ashensorët, kulmin, pra për gjëra më të mëdha. Paratë e fondit rezervë nuk duhet të përdoren për ndërrimin e dritave apo të bravave, pasi këto hyjnë në harxhimet mujore. Që të përdoren mjetet e fondit rezervë duhet patjetër edhe firma e përfaqësuesit të banorëve”,- deklaroi kryetari i Grupacionit për përkujdesje për banesat kolektive, Vase Samarkov.
 
“Sipas ligjit, nëse banorët janë të pakënaqur dhe duan ta ndryshojnë firmën përgjegjëse, firma paraprake është e obliguar të dorëzojë të gjitha dokumentet dhe faturat me palët e tjera, të dhëna për përqindjen e pagesës, sa është fondi rezervë i mbledhur ndër vite, sa janë harxhuar prej tyre dhe pse. Paratë e fondit rezervë janë para të banorëve dhe jo të firmës dhe në rast ndryshimi të firmës ato duhen kaluar në firmën e re. Por, kjo nuk ndodh asnjëherë”,- tha përfaqësuesi i Firmës së licencuar për përkujdesje të ndërtesave, Zoran Dimitrievski.
 
Kërkesa e Grupacionit për pakujdesje me objekte banesore është që trupat inspektuese të kontrollojnë më me rigorozitet respektimin e ligjit në këtë drejtim.
 
Për të kontrolluar punën e përgjegjësve të licencuar të pallateve, ata kërkojnë formimin e një inspektorati të veçantë që do të funksiononte si sektor i veçantë nën kompetenca të Këshillit të Inspektorëve.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI