Maqedoni

Avokati i Popullit, nismë për ndryshime në Ligjin për azil

20.06.2016 15:36

Avokati i Popullit ka dorëzuar në qeveri nismën për ndryshime në Ligjin për azil dhe mbrojtje të përkohshme...

Avokati i Popullit ka dorëzuar në qeveri nismën për ndryshime në Ligjin për azil dhe mbrojtje të përkohshme, pasi me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit aktual u vështirësohet qasja e bashkimit familjar anëtarëve të familjes më të ngushtë të refugjatit të pranuar dhe personit nën mbrojtje të përkohshme. 
 
"Personi me statusin e refugjatit të njohur apo personi nën mbrojte subsidiare do të duhet të presë tre vite të tëra nga marrja e statusit që të mundet para sektorit kompetent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të realizojë të drejtën e bashkimit familjar me anëtarët e familjes së ngushtë”, - deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
 
Sipas Avokatit të Popullit, kufizimi i përkohshëm i kësaj të drejte paraqet shkelje të direktivës së BE-së për të drejtën e bashkimit familjar.
 
"Në direktivë theksohet se shtetet nuk do ta kufizojnë për nga koha bashkimin familjar të refugjatëve të pranuar, gjegjësisht se nuk do të kërkojnë që personi me të drejtën e pranuar të azilit të qëndrojë në vend për një periudhë të caktuara para se të mund të bashkohet me anëtarët e familjes së vet",- tha zëvendësavokatja e popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
 
Me pranimin e kësaj nisme do të harmonizohet legjislativa e Maqedonisë me parimet e të drejtës ndërkombëtare të refugjatëve dhe direktivave evropiane, veçanërisht me Konventën e Gjenevës për statusin e refugjatëve të KB-së, parimi kryesor i së cilës është ndalesa për dëbim apo kthim, thonë nga zyra e Avokatit të Popullit.
 
REJHANE BUSHI-METAJ