Maqedoni
LQMM në protesta para gjykatës, kërkon heqjen e burgut shtëpiak për Talevskin
20.06.2016 15:39
Lëvizja qytetare për mbrojtjen e Maqedonisë bllokoi rrugën para kompleksit të gjykatave në Shkup...

Lëvizja qytetare për mbrojtjen e Maqedonisë bllokoi rrugën para kompleksit të gjykatave në Shkup për t’i dhënë mbështetje kryetarit të Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleskit, i cili me kërkesë të Prokurorisë Speciale duhet të jetë aktualisht në paraburgim shtëpiak.
Në mbështetje të protestuesve që u sollën nga më shumë qytete të vendit, dolën edhe kryetarët e komunave nga radhët e VMRO-DPMNE-së. Protestuesit akuzuan PSP-në se punon me direktiva të drejtpërdrejta nga LSDM.
“Të gjithë jemi për gjykim të lirë dhe jemi këtu për t’i dhënë mbështetje gjyqtarëve, sepse askush nuk mund t’ju shkaktojë presion”,- deklaroi Toni Mihajllov nga Lëvizja qytetare për mbrojtjen e Maqedonisë.
“Jemi mbledhur këtu para Gjyqit Themelor për të treguar revoltin tonë për PSP- që, mendojmë se ka qasje selektive dhe mënyra se si vepron nuk është në rregull, në vend që të ngrit akuzë në bazë të dëshmive, ajo haptazi gjykon njerëz të vetëm një partie, ata të VMRO-së. LSDM përkrah PSP-në, bën presion dhe deri tek Gjyqi Themelor, Suprem dhe atij të Apelacionit”,- tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Taleski është i akuzuari në rastin “Transportuesi”, i ngritur nga Prokuroria Speciale Publike nën akuzën “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, pasi, sipas akuzës, ai ka nënshkruar kontrata në mënyrë të jashtëligjshme për transportin e nxënësve në Manastir, me ç’rast ka dëmtuar shtetin për rreth 360 mijë eurosh.
Por, megjithëse PSP kërkoi paraburgim për të, e më pas gjykata e ndryshoi kërkesën për burgim shtëpiak, as kjo masë nuk ka filluar të zbatohet ende.
GAZMEND REXHEPI
