Maqedoni

Kriza politike, Juratoviq: Koha e fundit për vetëdijesim të politikanëve

20.06.2016 15:46

Evropa mund të ndihmojë, por jo dhe t’a zgjidh krizën politike në Maqedoni. Kështu u shpreh deputeti gjerman, Josip Juratoviq, në debatin kushtuar daljes nga kriza politike...

Kjo çështje duhet zgjidhur nga vetë politikanët e vendit. Evropa është pranë jush në rolin e garantuesit të procesit, tha Juratoviq.
 
Sipas tij, është koha e fundit që përgjegjësit kryesorë për krizën të vetëdijesohen dhe të masin çdo hap të mëtejshëm, sepse pasojat ndaj tyre mund të jenë më të mëdha.
 
“Maqedonia nuk është koloni e Gjermanisë, por është shtet sovran, demokratik dhe si i tillë duhet sillet në praktikë. Elitat politike duhet t’a zgjidhin vetë krizën, ne në këtë proces mund t’u japim sugjerime dhe këshilla për realizimin e plotë të detyrimeve që dalin nga marrëveshjet. Politikanët duhet të kenë kujdes me hapat e tyre të mëtejshëm lidhur me krizën aktuale dhe me protestat e sektorit civil, sepse pasojat mund të jenë më të mëdha ndaj tyre. Mund të krijohet një situatë që në vend për korrupsion, disa individë të përfundojnë në gjykatë për krim dhe kjo gjë është tepër serioze”,- deklaroi deputeti gjerman, Josip Juratoviq.
 
Sektori civil nuk lëshon pe. Ata kërkojnë karrigen e pestë në bisedimet e reja dhe angazhim më të madh të faktorit ndërkombëtar në këtë proces.
 
“Bisedimet në të cilat nuk ka përfaqësues të shoqërisë civile, nuk janë bisedime legjitime. Kjo situatë vetëm e stërzgjat krizën politike në vend dhe nuk jep rezultate. Mendoj se përfaqësuesi gjerman Hajdëll nuk duhet më t’a favorizojë formatin e bisedimeve të arritura në Përzhinë vitin e kaluar”, - u tha nga sektor civil.
 
Debati u organizua nga Fondacioni “Fridrich Ebert”. 
 
REXHEP QAMILI