Botë
Meksikë, protestojnë mësuesit, gjashtë të vdekur në përplasjet me policinë
20.06.2016 16:45
Gjashtë persona kanë vdekur dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur, mes të cilëve edhe shumë oficerë policie, në përplasjet mes mësuesve protestues dhe policisë në Meksikën Jugore...

Incidentet kanë ndodhur në shtetin e Oaksakas, ku udhëheqësit e dy sindikatave të rëndësishme u arrestuan për korrupsion.
Policia është përpjekur të pastrojë rrugët, kur disa persona të armatosur nisën të qëllonin me armë në të gjitha anët, në mënyrë që të krijonin kaos dhe konflikte mes palëve, thonë autoritetet.
Komisioni i Sigurisë Kombëtare të Meksikës njoftoi përmes një deklarate se oficerët e policisë të përfshirë në operacionin pranë qytetit të Nochixtlanit nuk kishin armë me vete.
Por, shefi i Policisë Federale, Enrique Galindo, tha më vonë se një njësi e armatosur u dërgua në vendngjarje pas të shtënave ndaj policisë dhe protestuesve nga persona të paidentifikuar, të cilët nuk kishin lidhje me protestën.
