Maqedoni
Kuvendi vazhdoi debatin për impiçment
20.06.2016 16:55
Kuvendi vazhdoi debatin rreth nismës për përgjegjësinë e presidentit Ivanov për vendimin e tij për abolim...

Pas shterjes së argumenteve juridike për dhe kundër, palët e kanë shtrirë debatin në plan politik. Në këtë drejtim më shumë se për përgjegjësinë e Ivanovit po diskutohet situata politike në vend dhe përgjegjësia e subjekteve politike dhe ajo e liderëve politik.
Në debatin, kryesisht, mes deputetëve nga Manastiri, më shumë vend zuri rasti “Transporter” dhe i pandehuri i parë në këtë rast, Vlladimir Talevski, kryetar i Komunës Manastir, nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
“Ne e dimë, edhe Gjorge Ivanovi si është zgjedhur president, edhe Nikolla Gruevski kryeministër, edhe Vlladimir Talevski si u bë kryetar komune. Pas krimit financiar, Vlladimir Talevski do të përgjigjet edhe për krim zgjedhor. Do t’ju tregoj përse. Vlladimir Talevski dhe Vlladko Çinkovski bisedojnë në telefon se si me ndihmën e Silian Miceskit, 20 njerëz që jetojnë në rrugën Goce Dellçev në Kravari mund të votojnë edhe në rrugën Goce Dellçev në Genimale”,- tha Vasko Kovacevski nga LSDM.
Mirëpo, deputetët e VMRO-DPMNE-së thonë se kreu i Strumicës ka bërë keqpërdorim fondesh dyfish më shumë se kreu i Manastirit.
“Për të njëjtën gjë që ju e akuzoni Vlladimir Talevskin, për të njëjtën gjë kryetari i partisë suaj harxhon dy herë më shumë para për nxënës që udhëton. Nëse ju keni të drejtë ta quani Vlladimir Talevskin kriminel, atëherë kryetari i juaj të cilit ju po i duartrokisni është dyfish kriminel”,- theksoi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
VMRO sërish sulmoi Organizatën “Soros” dhe LSDM-në si bashkëpunëtore të saj. Sipas Ilija Dimovskit, edhe protesta e “Revolucionit laraman” janë të financuara nga “Soros” dhe kanë për qëllim t’a federalizojnë ose ta shkatërrojnë vendin.
Nga 86 deputetë të paraqitur për fjalë, në këto katër ditë debat fjalën e kanë marrë vetëm 15 deputetë. Nëse ndiqet kjo dinamikë, debati për impiçment mund të zgjasë edhe 20 ditë pune.
SHPËTIM NUREDINI
