Maqedoni

Fjalimi i Gruevskit, analistët: Tendencioz, thellon krizën

20.06.2016 17:59

Cilësimet e liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, drejtuar Prokurorisë Speciale si joprofesionale dhe partnere të LSDM-së nga analistët e vendit vlerësohen si tendencioze dhe personale...

Analisti, Bashkim Selmani, thotë se fjalori i Gruevskit thellon krizën, ndërkaq analisti, Petar Arsovski, thotë se Gruevski sulmon Prokurorinë Speciale pasi që puna e tyre shkon në disfavorin e tij.
 
“Në këtë rast, sa më tepër që përflitet në publik për fajësi dhe fajtor, aq më vështirë është të gjendet zgjidhja dhe thjesht ky vokabular, qoftë diplomatik, juridik dhe i përgjithshëm, akoma më tepër do ta zhytë vetë shtetin në një krizë të thellë”,- deklaroi analisti politik, Bashkim Selmani.
 
“Siç duket, kryeministri ka harruar se Prokuroria Speciale është themeluar me konsensus të katër partive politike. Nuk di se çka ka ndryshuar, në ndërkohë përpos se Prokuroria ka filluar të bëjë punën e vet. Ndoshta ish-kryeministri do të ishte më i lumtur në rast se Prokuroria Speciale nuk do të bënte punën”,- tha analisti politik, Petar Arsovski.
 
Analistët komentojnë edhe ofertën e Gruevskit se do të pranojë kontroll të sërishëm të listës zgjedhore, edhe pse ajo sipas tij është kredibile. Selmani thotë se nuk mund të ketë lista kredibile pa regjistrim të popullsisë. Arsovski konsideron se Gruevski dëshiron të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje.
 
“Vetë është ajo opozita e cila nga pavarësia e Maqedonisë, pikërisht në lajthimin e numrave bën edhe pavarësinë e Maqedonisë. Ky rast shqiptarëve nuk u falet, për arsye se ata nuk arritën të dëshmojnë se ne jemi shtetformues që nga pavarësia e Maqedonisë. Aty ku nuk ka regjistrim të popullatës, nuk ka lista kredibile”,- theksoi analisti politik, Bashkim Selmani.
 
“Ish-kryeministri Gruevski e lëviz punën drejt zgjedhjeve të shpejta dhe strategjia e tij politike është që zgjedhjet të mbahen sa më shpejtë të jetë e mundur. Kështu e shoh deklaratën e Gruevskit”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
 
Me skepticizëm shikohet edhe propozimi se VMRO-DPMNE do të pranojë ligj për mediat pas zgjedhjeve të propozuara nga LSDM.
 
Gruevski nuk ka përjashtuar mundësinë edhe të përshkallëzimit të situatës në rast se kriza nuk gjen zgjidhje. Analistët këtë e shohin si strategji të tërheqjes se sa kërcënim.
 
MERAL ISMAILI