Maqedoni

Maqedonia edhe sot në fazën portokalli, temperaturat deri në 39 gradë Celsius

21.06.2016 12:26

Rajoni i Shkupit, të Osogovës, Maleshevës, Vardarit Jugor dhe Pellagonisë sot do të përfshihen me temperatura të fazës së portokalltë...

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëroi se moti në shtet do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla deri në mesatare dhe erë të dobët nga drejtimi juglindor. Temperatura e mëngjesit do të lëvizë prej 14 deri në 20, ndërsa ajo e ditës prej 32 deri në 39 gradë Celsius. UV indeksi do të arrijë 8. Në Shkup do të jetë mot me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të vogla mesatare dhe erë të dobët juglindore. Temperatura në interval prej 18 deri në 38 gradë Celsius.
 
Në rajonet me fazën portokalli Ministria e Shëndetësisë rekomandon që gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë mbi 60 vjet të lirohen nga obligimet e punës. Punëdhënësit, sipas rekomandimeve, duhet ta riorganizojnë orarin e punës dhe të shmangen aktivitetet nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Në rajonet e përfshira me fazën portokalli rekomandohet të mos mbahen aktivitetet sportive në ambient të hapur në këtë periudhë dhe veçanërisht në kopshtet e fëmijëve të mos i nxjerrin fëmijët jashtë.
 
Dy rajonet e tjera përkatësisht Rajoni i Pollogut dhe Ohër-Prespë do të përfshihen me temperatura të fazës së verdhë.
 
Qytetarëve nga tërë shteti u rekomandohet t'i respektojnë rekomandimet e përgjithshme për mbrojtje nga temperatura e larta siç janë mbrojtja nga ekspozimi direkt i diellit, shmangia e qëndrimit në vend të hapur nga ora 11 deri në orën 17, mbajtja e veshjes së lehtë dhe me ngjyra të hapura, konsumimi i lëngjeve dhe ushqimit të lehtë, mënyra higjienike e përgatitjes së ushqimit dhe marrja e rregullt e terapisë te personat e sëmurë kronikë.
 
Ministria e Shëndetësisë përmend se nevojitet edhe shkallë më e lartë e vëmendjes gjatë përgatitjes së konsumimit të ushqimit për shkak të temperaturave më të larta të cilat paraqiten për ditët në vijim.
 
Më shumë informata për valën e nxehtë qytetarët mund të gjejnë edhe në faqen e internetit  www.toplotnibranovi.mk.
 
Sipas DPHM, në ditët në vijim moti do të jetë kryesisht me diell dhe sërish shumë i nxehtë. Temperaturat nga e mërkura do të jenë më të ulëta për 2 deri në 3 gradë. Nga fundi i javës së punës do të kthehet jostabiliteti i pasdites, veçanërisht të dielën pasdite./Mia