Maqedoni
Ylber Sela: BE kërkon marrëveshje nga katër liderët
21.06.2016 14:16
Konkluzat e mbrëmshme të Këshillit për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të BE–së flasin se Maqedonia gjendet në një situatë të rëndë politike si asnjëherë më parë, thekson profesori universitar, Ylber Sela...

Sipas tij, situata aktuale politike ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin e mëtutjeshëm të skenës politike në vend, si në aspekt të brendshëm politik ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar, ndërkaq zgjidhja e vetme është vetën në kuadër të pajtueshmërisë mes katër liderëve kryesor politik, shton Sela.
“Edhe njëherë u tha qartë se Maqedonia ka probleme të mëdha të cilat po shihen dita ditës dhe shteti po ndodhet në situatë të palakmueshme që nuk ka qenë asnjëherë në zhvillimin politik të saj. Edhe njëherë bashkësia ndërkombëtare dëshmoi se është e interesuar për zgjidhje konkrete, ku do të pajtohen të katër liderët. Pa pajtim të katër liderëve nuk mund të ketë zgjidhje të situatës politike. Këtë duhet ta kuptojë politika e brendshme, duhet ta kuptojnë liderët politik, qoftë ata maqedonas, qoftë ata shqiptarë”,- deklaroi profesori universitar, Ylber Sela.
Implementimi i Marrëveshjes së Përzhinës, zhvillimi i sundimit të së drejtës, përkrahja e punës së PSP-së, si dhe implementimi i reformave prioritare ishin mesazhet kryesore të cilat mbrëmë i përcolli përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas përfundimit të seancës së Këshillit të Ministrave të Jashtëm, mbajtur në Luksemburg.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
