Maqedoni
Projekti i USAID-it për punësim, 169 persona me aftësi të kufizuara punësohen
21.06.2016 15:38
Nga gushti i vitit 2012 deri më tani, nëpërmjet projektit të USAID-it për punë praktike dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara janë punësuar 169 persona...

Nga gushti i vitit 2012 deri më tani, nëpërmjet projektit të USAID-it për punë praktike dhe punësim të personave me aftësi të kufizuara janë punësuar 169 persona me aftësi të kufizuara të kategorive të ndryshme.
Punësimet janë bërë në kompani private, institucione publike dhe organizata joqeveritare, si dhe 12 persona janë vetëpunësuar.
Kompanitë shprehen të kënaqura nga puna e të punësuarve të kësaj kategorie.
“Para këtij projekti, jemi përafërsisht pesë vite që kemi punësime të personave me aftësi të kufizuara edhe katër vite në bashkëpunim me USAID-in, kemi pasur edhe tre punësime të reja në bashkëpunim me projektet e USAID-it, deri tani kemi tetë persona me aftësi të kufizuara”,- tha Murat Kasami nga “Euro Zgjimi”.
Personat me aftësi të kufizuara duhet t’i kenë të drejtat e njëjta njerëzore, ata duhet të kenë qasje adekuate në arsim dhe punësim, theksojnë nga USAID.
“Këtyre persona ju ofrohet punë me paga të ulëta. Fatkeqësisht, për këtë kategori të personave përpjekjet për vend më të mira pune janë shumë të vogla dhe shumë rrallë mund të gjejmë ndonjë person me aftësi të kufizuara në ndonjë pozitë mbikëqyrëse. Për këta persona ka paragjykime të shumta, por Maqedonia është duke ecur para”,- tha drejtori i misionit të USAID-it në Maqedoni, Xhejms Stein.
USAID, që nga viti 1993 nëpërmjet projekteve të ndryshme ka investuar në Maqedoni mbi 500 milionë dollarë amerikane.
REJHANE BUSHI-METAJ
