Maqedoni
Bisedimet e “Përzhinës”, s’ka sinjale për vazhdimin e negociatave
21.06.2016 16:10
Katër partitë politike nuk japin sinjale për vazhdimin e bisedimeve të ekipeve negociatore në Përzhinë...

Nuk janë paralajmëruar konsultime e as takime të niveleve më të ulëta partiake. Nga LSDM thonë se komunikimet me përfaqësues të partive të tjera për vazhdimin e bisedimeve janë ndërprerë.
“Pozicionet tona janë të qarta. Ne jemi të angazhuar për dalje nga kriza politike, por nuk pranojmë pazare të ndryshme politike siç dëshiron VMRO–DPMNE”,- thuhet nga LSDM.
Ndërkaq, kryesuesi i ekipit negociator të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Todorov, është shprehur optimist se mund të ketë përparime edhe pse përjashtoi mundësinë për takim liderësh.
“Nuk planifikohet takim liderësh për momentin dhe nuk do të ketë përderisa nuk ka diçka konkrete. Unë edhe para disa ditësh e tregova pozicionin tonë. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së sa i përket listës zgjedhore është i njohur, ashtu që pres që së shpejti të ketë përparim”,- deklaroi Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.
Nga BDI thonë se bisedimet nuk mbahen në mungesë të ambasadorit të BE-së, Aivo Orav. Mësohet se Orav po qëndron në Bruksel për konsultime shtesë, ndërkaq nga zyra e Ambasadës së BE-së në Shkup paralajmërojnë takime ndaras me partitë politike.
Nga PDSh nuk komentojnë rinisjen e bisedimeve, të cilat u ndërprenë javën e shkuar, pasi partitë kërkuan më shumë kohë për konsulta shtesë. Nga LSDM drejtuan gishtin kah VMRO-DPMNE, si fajtore e ndërprerjes së bisedimeve në momentin kur për diskutim janë hapur votuesit e dyshimtë dhe mediat.
Nga VMRO–DPMNE u kundërpërgjigjën se bisedimet janë ngrirë me faj të LSDM-së dhe ata janë të hapur për çfarëdo zgjidhje e cila nuk parashikon censurë të mediave. Edhe përkundër përplasjeve ndërpartiake, Brukseli zyrtar ka ftuar partitë të mblidhen dhe plotësisht të zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinës.
MERAL ISMAILI
