Maqedoni
Anketa me qytetarët e Maqedonisë: Greqia shihet si pengesa kryesore, Gjermania shteti më i preferuar, serbët më të preferuar, më pak shqiptarët
21.06.2016 16:45
Qytetarët e Maqedonisë Greqinë e shohin pengesën më të madhe për të ardhmen e Maqedonisë për shkak të kontestit të emrit...

Qytetarët e Maqedonisë Greqinë e shohin pengesën më të madhe për të ardhmen e Maqedonisë për shkak të kontestit të emrit, rezulton në anketën e organizuar të Institutit për Hulumtime Politike, Universitetit “Kolumbia” nga New Yorku dhe Fondacionit “Aleanca e qytetërimeve”.
Por, të anketuarit në pyetjen: nëse do të pranonin qytetarët e Maqedonisë ndryshimin e emrit kushtetues për t’u anëtarësuar në NATO, 64.8 për qind prej tyre janë përgjigjur jo, ndërsa 28.3 për qind po.
Po ashtu anketa konstaton se serbët janë populli më i pranueshëm për maqedonasit. 62.6 për qind e qytetarëve të anketuar në Maqedoni janë të gatshëm të pranojnë për anëtarë të familjes së tyre një serb, kurse prej popujve fqinj më të papranueshëm janë shqiptarët, pasi vetëm 12.9 për qind kanë thënë se mund të pranojnë një shqiptar si anëtar të familjes.
Para shqiptarëve, për anëtarë të familjes qytetarët e anketuar preferojnë një bullgar, 24.5 për qind, turk 23.3 për qind, grek 18.8 për qind dhe maqedonas 17 për qind.
Por, kur është në pyetje shoqërimi, 56 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur se preferojnë të shoqërohen me shqiptarë. Sa u përket shteteve të preferuara udhëheq Gjermania, për të cilën 84 për qind e të anketuarve kanë mendim pozitiv.
Më pas vijnë Turqia me 74 për qind, Serbia me 69 për qind, Rusia me 65 për qind, Amerika me 63 për qind, derisa Shqipëria radhitet e treta nga fundi me 43 për qind, para Kosovës me 28 dhe Greqia e fundit me 25 për qind.
Anketa e Institutit për Hulumtime Politike, Universitetit “Kolumbia” nga New Yorku dhe Fondacionit “Aleanca e qytetërimeve”, për perceptimet e qytetarëve të Maqedonisë në kontestin për emrin dhe marrëdhëniet me fqinjët, si dhe të e-librit “Korridori human ballkanik” është realizuar në fillim të muajit mars të këtij viti në të gjithë vendin, ku janë të anketuar 1 mijë e 101 persona të rritur nga të gjitha rajonet statistikore.
GYLTENE SINANI
