Ekonomi
Përfaqësues të rajonit Alzas vizitë në Maqedoni, me interes thellimi i bashkëpunimit ekonomik
21.06.2016 16:51
Thellohet bashkëpunimi ekonomik në mes Maqedonisë dhe Francës...

Turizmi, energjetika, industria e tekstilit, si dhe ajo automobilistike janë vetëm disa nga fushat ku do të shqyrtohet bashkëpunimi, u theksua gjatë takimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë me përfaqësues të rajonit Alzas nga Franca.
“Në eksport kompanitë e Maqedonisë kanë dëshirë që ta zgjerojnë veprimtarinë e tyre duke ofruar ushqime të konservuara, tekstil edhe në fushën e ndërtimit si dhe fusha të tjera”,- tha drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike të Maqedonisë, Jelisaveta Georgieva.
“Bashkëpunimi ka filluar një kohë të gjatë, ka gati dy vite. Qëllimi i realizimit të këtij takimi është për të arritur kontakte fillestare me qëllim të zbulimit të mundësive për zbatim dhe financim të projekteve evropiane në zona të ndryshme”,- deklaroi ambasadorja e Francës, Laurence Auer.
Bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Francës në katër muajt e parë të vitit është 41.3 milionë dollarë, që shënon rritje prej 1.7 për qind në krahasim të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe është realizuar eksport në vlerë prej 8.2 milionë dollarë, që është rënie prej 37.5 për qind, ndërsa importi paraqet vlerë prej 33 milionë dollarë, që shënon rritje prej 20.4 për qind.
GAZMEND REXHEPI
