Maqedoni
Enti Shtetëror i Statistikës: 30% e amvisërive në Maqedoni jetojnë me 100 euro
22.06.2016 12:44
Një numër i konsiderueshëm i familjeve në Maqedoni me të ardhurat që i sigurojnë mezi arrijnë ta kalojnë muajin...

Për gjendjen e rëndë sociale flet edhe numri i njerëzve që shihen rrugëve të Shkupit dhe qyteteve tjera të vendit duke kërkuar lëmoshë.
Apo edhe rastet sociale që paraqiten në mediat e vendit me apel për ndihmë nga bamirësit, pasi shumë kryefamiljarë ose nuk arrijnë të gjejnë punë të rregullt, ose me të ardhurat që sigurojnë nuk ia dalin të krijojnë kushte normale për jetë për familjet e tyre.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, rreth 30% e amvisërive në Maqedoni jetojnë me rreth 100 euro të ardhura mujore dhe si burime kryesore financiare kanë pensionin, ndihmën sociale apo remitancat.
Mbi 56 mijë amvisëri kanë të ardhura vjetore prej 1 mijë e 278 euro, ose vetëm 106 euro në muaj.
Në këtë grup përfshihen edhe të punësuar edhe atë 14.8%, ndërsa 44.4% prej tyre i sigurojnë të ardhurat nga pensionet, si dhe 14.5% i sigurojnë të ardhurat nga ndihma sociale. Këto të dhëna janë publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, në bazë të anketës për “Harxhimet në amvisëri në vitin 2015”.
Sipas këtyre të dhënave, vetëm 6.3% e amvisërive mund t’i plotësojnë nevojat mujore për jetesë.
Amvisëritë më të pasura në vend kanë 14 mijë e 555 euro të ardhura vjetore, ose 1 mijë e 212 euro në muaj, që është 12 herë më shumë krahasuar me amvisëritë më të varfra.
GYLTENE SINANI
