Maqedoni
Halimi u prezsentua ne studeniçan
27.03.2014 18:26
Partia Demokratike Shqiptare, fushatën presidenciale për promovimin e kandidatit presidencial, Iljaz Halimi, mbrëmë e vazhdoi në komunën e Studeniçanit...

Partia Demokratike Shqiptare, fushatën presidenciale për promovimin e kandidatit presidencial, Iljaz Halimi, mbrëmë e vazhdoi në komunën e Studeniçanit.
Kandidati për president, Iljaz Halimi, me këtë rast para të pranishmëve theksoi se gjatë këtyre ditëve të para të fushatës, janë bërë takime me shumë qytetarë, ku është vërejtur qartë se shqiptarët në Maqedoni kërkojnë ndryshim dhe duhet të fitohet më 13 prill.
“Shqiptarët kërkojnë ndryshime në presidencë dhe qeveri, ngase janë të lodhur me këtë qeverisje antishqiptare”, tha Halimi.
Ai më tej shtoi se shqiptarët kërkojnë të kenë një president i cili do të mbrojë interesin e tyre, një president i cili do tu thotë ndal ligjeve diskriminuese dhe të dëmshme për shqiptarët. Shqiptarët dëshirojnë një president i cili nuk do të merr anë nga i forti, duke i lënë anash skamnorët dhe të dobëtit.
“Unë garantoj nëse zgjidhem kryetar i këtij shteti, do të jem kryetar i të gjithëve, në radhë të parë i shqiptarëve, më pastaj edhe i të tjerëve që jetojnë në Maqedoni", theksoi Halimi.
Ai shpreson që përkrahja për kandidaturën e tij si kandidat i vetëm shqiptar, deri më 13 prill do të shumëfishohet. Halimi gjithashtu u ndal edhe te thirrjet për të bojkotuar zgjedhjet presidenciale dhe për të mos votuar atë si kandidat të vetëm shqiptar.
“Zonja dhe zotëri, të apelosh të mos votosh Iljaz Halimin, por voto një farë ideje të pakuptimtë shumë absurde, diçka të pakapshme, kjo është një gafë e madhe që ka mund të bën vetëm një udhëheqës politik i cili nuk kupton asgjë nga politika. Unë i kisha porosit atyre që mos të manipulojnë me grupe të rinjsh, të cilët për shkak të bukës së gojës, për shkak të rrezikut për vendin e punës, detyrohen të dalin në emrin e kësaj apo asaj shoqate dhe të apelojnë që shqiptarët mos të dalin të votojnë për kandidatin e vetëm shqiptar. Ju kisha lut që edhe nëse i udhëzojnë, i përgatisin ata të rinj të dalin dhe të flasin kundër meje, mos ta bëjnë këtë në hapësirat e Universitetit të Tetovës, i cili identifikohet me mundin, kontributin dhe sakrificën time, sado që ata mundohen, unë kam qenë njëri ndër aktorët e themelimit të Universitetit. Kisha kërkuar prej tyre që mos të paguajnë njerëz, këtu në Kosovë dhe Shqipëri, që të njollosin figurën e kryetarit të partisë, zotëri Menduh Thaçit dhe Partisë Demokratike Shqiptare, që të krijohet klimë që të mos votohet i vetmi kandidat shqiptar për kryetar të shtetit, i cili momentalisht jam unë”, deklaroi kandidati për kryetar, Iljaz Halimi.
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, para të pranishmeve, theksoi se në Studeniçan u tregua besimi i vërtetë mbi partinë e vërtetë shqiptare, ku u shënua fitore në zgjedhjet e fundit. Ai kërkoi nga Ahmeti të bashkëbisedojnë me argumente, jo me fyerje dhe analiza personale. Me këtë rast, Thaçi gjithashtu tha se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, për 12 vite nuk arriti të miratojë ligjin për pjesëmarrësit e konfliktit të viti 2001, nuk ka zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe nuk ka punësuar shqiptarë në institucione dhe administratë, ashtu siç është e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit.
Ndërkohë udhëtimet e kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, në Evropë dhe botë, për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, Thaçi i quajti udhëtime turistike pa ndonjë rezultat.
“Sa i përket sulmeve personale që vijnë ndaj meje, është vetëm rezultat i frikës dhe shastisjes që e kanë 20-30 veta. Anëtarët e BDI-së nuk janë armiqtë tanë, ata janë shqiptarë si ne, ne duhet të mundohemi që të bisedojmë me ta drejtpërdrejtë, nuk ka vend për asnjë shqetësim. U thonë njerëzve se do të hy në qeveri PDSH-ja dhe do të na fshijë gjithë neve të BDI-së, për bese nuk do të ndodhë kjo. Ne nuk jemi njerëz që marrim bukën e shqiptarit dhe japim shqiptarit, jo, ne marrim plus bukë prej të tjerëve dhe u japim shqiptarëve të tjerë. Ne nuk duam dhe nuk preferojmë hakmarrje, nuk preferojmë mllef dhe goditje, ne preferojmë dashuri, afri dhe mirëkuptim”, u shpreh kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Duke vazhduar me fjalimin e tij, Thaçi përmendi edhe ligjin për zgjedhjet presidenciale, ku fajësoi Ali Ahmetin dhe Nikolla Gruevskin për zbritjen e cenzusit prej 50% në 40%.
“Pse nuk duhet të votohet Iljaz Halimi? Për shkak se duhet të shkojë deri në fund qëllimi anti-shqiptar. Nëse ne nuk kemi kandidat për president, do t’i lëmë në siklet të madh të gjithë shqiptarët, me çka do t’i kërcënojmë me bukën e gojës dhe dënime dhe tatime nga partitë maqedonase, prej ku maqedonasit do të mohonin çështjen shqiptare në Maqedoni”, tha Thaçi.
Ai me këtë rast shprehi lutje drejt boshnjakëve, turqve dhe të gjithë myslimanëve në vend, që të votojnë kandidatin e vetëm shqiptar për president, Iljaz Halimin.
“Ne përkujdesemi për trajtesë të barabartë të bashkësive fetare, përkujdesemi për ndarje të interesave të barabarta mes bashkësive fetare dhe jo të ketë diskriminim mes tyre”, shtoi Thaçi.
Ai tha që së bashku me kandidaturën e Iljaz Halimit, do të merr mandatin për të përfaqësuar ashtu siç duhet popullin shqiptar në Maqedoni. Ai apeloi për një angazhim sa më të madh dhe bindshmëri që me 13 prill 99 % e punës të mbarojë. Kështu 300 mijë shqiptarë që do të votojnë Iljaz Halimin, do të mundësojnë krijimin e një qeverie të re, tha mes tjerash lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Bekim Fazliu nga radhët e PDSH-së, akuzoi se BDI bën një politikë të turpshme anti-shqiptare. BDI solli Car Dushanin në mes të Shkupit, filluan ndërtimin e shtëpisë së oficerëve serb në vendin e Burmali Xhamisë dhe lejuan aksionin policor “Monstra”.
Me këtë rast, para të pranishmëve foli kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku, nga radhët e PDSH-së, ku dha një raport për punën e tij 11 mujore në komunën e Studeniçanit. Sadiku tha se në çdo moment mundohet të arsyetojë besimin e qytetarëve të kësaj komune, duke ua zgjidhur një numër të madh të problemeve që ka trashëguar kjo komunë nga kryesia e mëparshme.
“Problemet që trashëguam në komunën tonë, janë të shumta. Ne vazhdojmë të punojmë pa ndërprerë me punë dhe përkushtim serioz dhe po arrijmë që t’i tejkalojmë ato një nga një. Ne nuk i kemi zgjidhur të gjitha punët, por i kemi filluar në mënyrë të përshpejtuar, që në të gjitha vendbanimet e Karshiakës të fillojmë së paku nga një projekt të infrastrukturës. Sadiku me këtë rast përmendi rregullimin e rrugëve dhe trotuareve në fshatin Studeniçan, Batincë, Cvetovë, Vertekicë dhe Koliçan të poshtëm, ndërtimin e kanalizimeve fekale në fshatin Batincë, Moranë dhe Studeniçan. Ai numëroi gjithashtu dhe përmirësimin e kushteve në shkollën fillore në Koliçan të poshtëm dhe të epërm, si dhe renovimin e shkollave në fshatin Ellovë dhe Batincë. Fitorja e Iljaz Halimit dhe PDSH-së do të jetë shumë e rëndësishme për gjithë shqiptarët në Maqedoni, tha para të pranishmëve kryetari i komunës së Studeniçanit, Azem Sadiku.
Nimetulla Demiri, nënkryetar i Rinisë Demokratike Shqiptare, tha se do të vazhdojnë të jenë një krah i fuqishëm i PDSH-së, me bindje të sigurt se platforma e saj politike dhe kryetari Menduh Thaçi, janë zgjidhja e vetme e problemeve shqiptare në Maqedoni.
Sami Rushiti, aktivist i PDSH-së, me këtë rast theksoi se pozita e shqiptarëve në Maqedoni është shumë e rendë dhe çdo ditë po bëhet më e padurueshme. Ai shtoi se më shumë se 90 % e investimeve në vend janë realizuar në vendbanimet maqedonase, kështu duke i anashkaluar vendet e banuara me shqiptarë. Që nga qeverisja e BDI-së, është shkatërruar çdo biznes, tha mes tjerash Rushiti. (Florije Kamberi, TVM2)
