Maqedoni
Kryqi në Butel, mungon gjykatësi, kushtetuesja shtyn vlerësimin
22.06.2016 12:47
Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për një javë diskutimet rreth vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit për kryqin në Butel. Shkas për shtyrjen u bë mungesa e gjykatësit, Sali Murati...

"Vlerësojmë se është e rëndësishme që pikat e një rëndësie më të madhe të diskutohen dhe të vendosen në prezencë të të gjithë gjykatësve. Për këtë arsye, kjo pikë e rendit të ditës do të diskutohet në seancën e radhës”, u arsyetuan zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimin për vendosjen e kryqit në Butel, në Gjykatën Kushtetuese e ankimoi në mars kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela. Sipas tij, një vendim pro ndërtimit të kryqit në Butel do t’i hapte rrugën komunave shqiptare që me vendime për pajisje urbane të vendosin simbole dhe përmendore shqiptare.
Kryqi 55 metra i lartë është donacion nga Kongresi Botëror Maqedonas i Todor Petrovit. Vendosja e tij nxiti tensione ndëretnike, madje edhe protesta të BDI-së, funksionarët dhe mbështetësit e të cilës bllokuan me tenda vazhdimin e punimeve për kryqin.
Punimet për vendosjen e kryqit u ndalën me arsyetimin e gjetjes së një marrëveshjeje në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, por nga BDI kanë këmbëngulur se nuk do të lejojnë ndërtimin e tij, pasi kryqi kërcënon bashkëjetesën në vend.
Nga BDI thonë se vetë procedura e lejimit të vendosjes së kryqit u bë pa respektuar parimin e Badenterit nga Këshilli Komunal i Butelit.
NAIM RAMADANI
