Maqedoni

Kriza politike, Brukseli këmbëngul: Respektoni “Përzhinën”

22.06.2016 13:00

Brukseli zyrtar vazhdon të këmbëngulë se Marrëveshja e Përzhinës mbetet alternativë e vetme për daljen nga kriza politike dhe u apelon liderëve të katër partive...

Brukseli zyrtar vazhdon të këmbëngulë se Marrëveshja e Përzhinës mbetet alternativë e vetme për daljen nga kriza politike dhe u apelon liderëve të katër partive, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, të fillojnë bisedimet pa humbur kohë.
 
Javët e ardhshme janë kyçe për Maqedoninë. Marrëveshja e Përzhinës duhet të zbatohet, duhet të forcohet sundimi i ligjit, të mbështetet puna e PSP-së dhe të zbatohen reformat prioritare, ka ripërsëritur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
 
“Ashtu siç theksoi përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme e BE-së, Federika Mogerini, ekziston pajtueshmëri e qartë mes shteteve anëtare për nevojën që liderët partiak në vend të zbatojnë një dialog të hapur, të implementohet Marrëveshja e Përzhinës, të krijohen kushte për  zgjedhje të besueshme, të respektohet sundimi i ligjit, të përkrahet puna e Prokurorisë Speciale dhe të implementohen reformat prioritare”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiq. 
 
Dje diplomati grek Kotzias përmes një deklarate për TVM, qartësoi se Greqia ka qenë kundër vendosjes së sanksioneve të mundshme, por sot Kocijançiq nuk deshi të deklarojë nëse në debatin në Luksemburg është diskutuar për sanksione ndaj Maqedonisë. Ajo vetëm ripërsëriti se liderët e vendit e kanë të qartë se çfarë pritet prej tyre. 
 
GAZMEND KURTISHI