Botë
Cameron apel britanikëve për votën pro BE-së
22.06.2016 13:10
Teksa kanë mbetur më pak se 48 orë ku britanikët do t’iu drejtohen kutive të votimit në referendumin që do të vendos fatin...

Teksa kanë mbetur më pak se 48 orë ku britanikët do t’iu drejtohen kutive të votimit në referendumin që do të vendos fatin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të britanikëve, presioni është shtuar ndjeshëm në vend.
Kryeministri Cameron i kërkoi prindërve dhe të moshuarve të votojnë pro qëndrimit të Britanisë në BE, për hir të brezave dhe pasardhësve të tyre. Ky apel vjen pasi të moshuarit janë më të prirur të votojnë pro largimit të Britanisë nga BE-ja, krahasuar me të rinjtë, të cilët janë pro qëndrimit të mëtejshëm në BE.
“Do të jeni vetëm ju në dhomën e votimit. Vetëm ju duke marrë vendimin që do të ndikojë në të ardhmen e fëmijëve dhe të nipërve tuaj. Besoj thellë se do të jemi më të fortë, më të sigurt dhe më mirë nëse qëndrojmë brenda Bashkimit Evropian. Ekonomia jonë do të jetë me e fuqishme nëse qëndrojmë, nëse largohemi, ajo do të vihet në rrezik. Do të rrezikojmë vendet e punës dhe për pasojë familjet dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, pasi kjo votë nuk ka kthim pas”,- deklaroi kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron.
Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, ndërkohë i ka tërhequr vërejtjen Britanisë se votimi për largim nga Bashkimi Evropian do të jetë “një akt i vetëdëmtimit”, që do t’i rrezikojë përfitimet reciproke në disa dekada.
“T’a ktheni shpinën ndaj fqinjëve tuaj dhe të tërhiqeni në izolim është kundër çdo gjëje që Evropa dhe Britania qëndrojnë. Largimi do të thotë vetëdëmtim”,- tha presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker.
Banka Qendrore Evropiane është gati t’u bëjë ballë të gjitha urgjencave dhe pasojave që mund të rrjedhin nga referendumi britanik.
“Do të ishte e vështirë dhe njëkohësisht spekulim të parashikojmë rezultatin. Ne po përpiqemi të jemi gati të përballemi me çdo të papritur. Në këtë pikë do të ishte shumë, shumë e vështirë të ishim më të saktë se kaq. Mendoj se kemi përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme”,- theksoi presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.
Sondazhet e fundit kanë lëvizur me një diferencë mbi 7 për qind në favor të votës pro qëndrimit në Bashkimin Evropian.
Por, sondazhet, sidomos pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, nuk e kanë më atë nivel besueshmërie si dikur.
GAZMEND REXHEPI
