Maqedoni

Oer apel politikanëve: mos lejoni gjenerimin e krizave të reja

22.06.2016 14:44

Partitë politike të vazhdojnë me bisedime dhe të dakordohen për mbajtjen e zgjedhjeve...

Kriza politike duhet të zgjidhet me qëllim që të mos gjenerohen kriza të reja, tha ambasadorja e Francës, Lorenc Oer. 
 
“Nuk është vetëm Maqedonia që ka krizë, edhe në vendet tjera në këto momente ndodhin kriza politike, por më me rëndësi është që partitë politike të vazhdojnë të bisedojnë dhe të merren vesh për zgjedhjet, për shkak se kriza politike nuk duhet të gjenerojë  kriza tjera, respektivisht nuk duhet vendi të gjendet para një krize ekonomike ose në mungesë të besimit, rrjedhimisht është një gjë që nuk e dëshiron Bashkimi Evropian”,- deklaroi ambasadorja e Francës në RM, Lorenc Oer.  
 
Mospajtueshmëria mes partive politike nuk është ekskluzivitet i Maqedonisë. E rëndësishme është se si gjendemi përpara një krize dhe për çka shfrytëzohet koha e krizës, vlerëson ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski. Megjithatë, kriza politike, sipas tij, ka koston e vet, po kjo nuk duhet të shpërqendrojë fokusin e implementimit të reformave prioritare që kërkon BE-ja. 
 
“Mospajtueshmëria dramatike mes partive politike nuk është eskluzivitet i Maqedonisë, aq më pak i Ballkanit apo BE-së. Dallimi qëndron aty se si e menaxhojmë dhe si sillemi ndaj këtyre situatave, respektivisht nëse e shfrytëzojmë atë moment për përforcimin e institucioneve dhe shtetit, apo nuk jemi aq të fokusuar në të”,- tha ministri i Jashtëm, Nikolla Popovski.
 
Sipas Popovskit, kriza politike në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë shkas për stagnim në integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU