Maqedoni
Vazhdojnë temperaturat e larta, shtohen thirrjet në urgjencë
22.06.2016 16:28
I nxehti që ka përfshirë vendin këtë javë, ka shtuar numrin e thirrjeve në ndihmën e shpejtë...

Më të prekur nga temperaturat ekstreme janë të sëmurët kronikë dhe thirrjet më të shpeshta kanë të bëjnë me sulmet në tru. Mjekët apelojnë për kujdes të madh në këto ditë të nxehta.
“Është e vërtetë që është rritur fluksi i thirrjeve, veçanërisht tani kemi shumë raste neurologjike, ku është zmadhuar numri i thirrjeve për sulmet në tru dhe tani më tepër merremi me rastet neurologjike, po ashtu edhe me gratë shtatzëna, rastet kardiologjike, ku më të prekur janë më të moshuarit dhe nuk është e preferuar të dalim në këtë kohë të nxehtë jashtë”, deklaroi mjeku, Ylber Sefedini.
Mjekët rekomandojnë që në këto temperatura të larta mos të ekspozohemi në diell prej orës 10 deri në 17, të konsumojmë sa më tepër lëngje që mos të vijë deri te dehidrimi, të përdorim ushqim pa yndyra dhe të hamë sa më shumë pemë dhe perime, si dhe të vishemi me rroba me ngjyrë të hapur.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
