Maqedoni

Kriza politike, analistët: Është e zgjidhshme, por nuk ka vullnet

22.06.2016 16:37

Analistët politik vlerësojnë se ngërçi politik nuk është i pazgjidhshëm, por mungon vullneti politik dhe prirja e partive për të bërë politike ditore dhe për të vënë në plan të parë interesat partiake...

Sipas tyre, subjektet politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, po tregohen të papërgjegjshëm. Zgjidhja nuk mund dhe nuk duhet të pritet vetëm nga faktori ndërkombëtar, theksojnë analistët, duke shtuar se palët duhet të ofrojnë alternativa dhe të kultivojnë kulturën e kompromisit.
 
“Unë mendoj që problemet nuk janë aq të mëdha sa prezantohen varësisht nga nevoja ditore e subjekteve politike dhe kam bindjen se aktorët kryesorë politik vendas kalkulojnë me madhësinë e problemeve dhe me vështirësinë e zgjidhjeve si një instrument për ta vendosur interesin e tyre në radhë të parë”,- deklaroi analisti, Ibrahim Mehmeti.
 
“Mendoj se të gjitha palët e përfshira në këtë krizë do të taktizojnë për të përfituar kohë dhe për t’i përforcuar pozicionet e veta. Në njërën anë opozita, në anën tjetër pushteti aktual. Vlerësoj se faktori ndërkombëtar ndërhyri atëherë kur u desht, po ndërhyn edhe tash, por faktori ndërkombëtar nuk mund t’i zgjidh problemet e Maqedonisë. Partitë politike duhet të jenë të vëmendshme se çfarë dëshirojnë ose çfarë kërkojnë, për shkak se kriza zgjidhet nëse ka vullnet. Unë nuk shoh se partitë politike kanë vullnet për ta zgjidhur këtë krizë”,- tha analisti, Arsim Sinani.
 
Shkas për ndërprerjen e bisedimeve ishte Regjistri i zgjedhësve. Partitë politike janë të ndara sa i përket kësaj çështje. VMRO-DPMNE nuk e konteston regjistrin e zgjedhësve. Mirëpo, LSDM thotë se Regjistri nuk është pastruar, dhe se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje për aq kohë sa nuk pastrohet Regjistri i zgjedhësve. 
 
Një ditë më parë, VMRO dhe LSDM njoftuan se nuk ka paralajmërime për përafrim qëndrimesh dhe as takim liderësh.    
 
SHPËTIM NUREDINI